Mbahet debati për artet pamore, kërkohet llogari për koloninë e artistëve në Bardhosh

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka dhënë premtime të shumta për komunitetin e artit pamor gjatë debatit të mbajtur të enjten mbrëma (dje) në Kino Armata në Prishtinë.

Krijimin e Fondit të pavarur kulturor, mbështetje për galeritë e artit nëpër komuna, emërim të atasheve kulturorë në ambasadat e Kosovës e llogaridhënie e për paratë që u shpërdoruan për ndërtimin e objektit të pa përfunduar të Kolonisë së Artistëve në Bardhosh të Prishtinë, janë disa nga premtimet që dha Çeku dha gjatë këtij debati.

Çeku premtoi edhe më shumë mbështetje e hapësira krijues për artistë dhe të gjitha këto do të arrihen me Ligjin për Kulturën, i cili sipas ministrit është në hapat e parë të hartimit, e që synohet që deri në fund të 2022 të jetë në fuqi.

Sipas Çekut, ky ligj do të eliminojë të gjitha ligjet tjera për kulturën përveç atij për Kinematografi.

“Me këtë ligji do të mundësohet krijimi i Fondit kulturor i cili do të menaxhohet nga një trupë e pavarur dhe do t’i dedikohet skenës së pavarur. Çështja e objektit në Bardhosh është me interes për ne dhe do të trajtohet me kujdes”, ka thënë Çeku.

Ai premtoi edhe zgjidhje të statutit të artistit, lehtësira administrative për aplikim për subvencionimin e projekteve të artistëve.

“Ne po punojmë për të eliminuar procedurat burokratike dhe jemi duke punuar që në të ardhmen aplikimi për mbështetje të projekteve do të jetë online”, ka pohuar Çeku.

Kërkesat e krijuesve

Krijuesit pamor drejtuan një sërë kërkesash për ministrin e kulturës.

Krijuesi Fehmi Hoxha – Feho, ka kërkuar krijimin e hapësirave për artistët pamorë edhe nëpër komuna e financim të qëndrueshëm për artistë.

“Është me rëndësi krijimi i një kuarti ku do të jenë ateletë e artistëve, ku aty mund të takohen artistët dhe t’i hapin ekspozitat e tyre”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa, Shyqri Nimani, piktor, grafist e dizajner, ka thënë se duhet të dihet se çfarë ka ndodhë me koloninë e artistëve në Bardhosh.

“Për Bardhoshin, objektin, parcela është dhuruar nga Komuna e Prishtinës, aty janë dhënë afër 1 milion euro”, ka thënë Nimani.

Edhe Eshref Qahili, piktor, ka thënë se duhet sqarohet pse nuk është përfunduar kolonia në Bardhosh.

“Një numër i caktuar i artistëve ka dhënë nga një mijë euro për ndërtimin e atij objekti. Është mirë me u gjetë e vërteta dhe me u sqarua ky problem me rëndësi dhe duhet të përfundojë ai investim, pas ka 20 vjet që ka nisur ndërtimi i atij objekti”, ka thënë Qahili.

Ndërsa, piktori Veton Gusia ka kërkuar të lehtësohen proceduar për aplikimin e artistëve për mbështetje të projekteve nga MKRS-ja.

“Artistët po injorohen shumë vetëm për shkak të burokracisë, kërkohen shumë dokumente e nuk vlerësohet ideja”, ka thënë Gusia.