Akademia përkujtimore për Haqif Mulliqin, korrik 2023. Foto: KALLXO.com.

Mbahet akademi përkujtimore për profesorin Haqif Mulliqi

Për të nderuar kontributin e dramaturgut, regjisorit e profesorit universitar, Haqif Mulliqi është mbajtur sot një akademi përkujtimore në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Profesori universitar Haqif Mulliqi ka vdekur të martën, pas një sëmundje të rëndë.

Familjarë, të afërm, miq e kolegë,  vlerësuan kontributin shumëdimensional të Mulliqit në fushën kulturore e akademike. Ai ishte reporter nga fontet e luftës së UÇK-së, dramaturg, regjisor e profesor në Fakultetin e Arteve në Universitatin e Prishtinës, “Hasan Prishtina’.

Hazir Haziri, dekan i Fakultetit të Arteve të UP-së, tha se Mulliqi ishte një kontribuues i pa shoq në fushën e arteve skenike, e me cilësi të jashtëzakonshme akademike.

“UP-ja, në analet e historisë, me pietet do ta ruajë dhe ta përcjell ndër gjenerata, kontributin dhe angazhimin e profesor Mulliqit”- tha dekani Haziri.

Ndërkaq, rektori i UP-së, Qerim Qerimi tha se vdekja e Mulliqit është humbje për artin dhe kulturën në Kosovë.

“Sot, jeta kulturore e artistike është më e varfër pa prezencën dhe potencialin krijues të profesor Mulliqit”-tha rektori Qerimi.

Kurse, Besim Rexhaj, profesor në FA të UP- së theksoi se Haqif Mulliqi ishte ndër personalitet e rralla dhe më i veçantë i jetës kulturore në vend.

“Pavarësisht gjendjes shëndetësore, Haqif Mulliqi vit pas viti solli vepra dramatike e studimore që i bëjnë një nga personalitetet më të veçanta të kulturës sonë. Ai është autori me numrin më të madh të veprave dramatike”- tha Rexha.

Në emër të familjes, foli vajza e profesorit të ndjerë, Getoarba Mulliqi e cila me lot në sy solli momente më emocionues të raportit të profesor Mulliqit me familjen miqtë e kolegët.

“Unë nuk do të them lamtumirë, por faleminderit dhe mirë u takofshim babai!”- tha ajo.

Akademia përkujtimore për Haqif Mulliqin, korrik 2023. Foto: KALLXO.com.

Haqif Mulliqi është lindur në 1960 në Pejë, ku edhe kreu shkollën fillore, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Studimet për dramaturgji i mbaroi në Prishtinë, kurse doktoroi në Universitetin e Tiranës.

Është autor i një sërë veprash dramatike, si: “ Një varr për majorin e Mbretit”, “Kaos atdhedashurie në Paris”, “Një përkujtim në kafe teatër”, “Komedia apo marrëzia njerëzore”, “The Kosoëars”, “Trenat”, “Për të vërtetën”, “Pas luftës”, “Si e mposhta Mussolinin”, etj. Dramat e tij janë inskenuar në të gjitha teatrot shqiptare, në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni. Ai ishte edhe regjisor i shumë shfaqjeve skenike.

Përveç krijimtarisë artistike, Mulliqi që nga viti ’80 ka punuar si gazetar e redaktor për disa gazeta. Kontribut ka dhënë edhe si gazetar nga frontet e luftës së UÇK-së.

Mulliqi vdiq të martën, më 25 korrik 2023, pas një sëmundje të rëndë.

Varrimi i tij bëhet sot pasdite në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Akademia përkujtimore për Haqif Mulliqin, korrik 2023. Foto: KALLXO.com.