Saranda Bogujevci - Foto: Facebook

Gjilan, sot dhe nesër jepet shfaqja e bazuar në masakrën ndaj familjes Bogujevci

Sot dhe nesër në Gjilan jepet repriza e shfaqjes “Kopshti i hijeve” me regji të Nastazja Domaradzka.

Drama “Kopshti i hijeve” e shkruar nga dramaturgia britanike Sara Hehir, është e bazuar në masakrën ndaj familjes Bogujevci në Podujevë. Masakra ndaj familjes Bogujevci u krye nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Premiera e kësaj shfaqjes është dhënë më 27 shtator 2023 në Teatrin e Gjilanit. Ndërsa më 9 dhe 10 tetor, nga ora 20:00, në Teatrin e Gjilanit rikthehet me reprizat e saj.

“Kopshti i Hijeve” është një shfaqje bashkëpunuese, multimediale e zhvilluar me një ekip ndërkombëtar dhe prodhuar nga Teatri i Gjilanit.

14 pjesëtarë të familjes Bogujevci e Duriqi në Podujevë u vranë katër ditë pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, më 28 mars 1999, nga pjesëtarët e një njësie paraushtarake serbe të njohur si “Akrepat”. Viktima më e re ishte dy vjeçe.

Masakrës i mbijetuan me plagë të rënda pesë fëmijë: Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genc Bogujevci. Saranda Bogujevci, sot nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV-së, i mbijetoi 16 plumbave për të treguar dhe rrëfyer tmerrin e përjetuar.

Në shfaqjen “Kopshti i hijeve” luajnë aktorët: Aurita Agushi, Blendi Arifi, Emine Toska, Fitore Jashari, Gani Rrahmani, Kushtrim Qerimi, Qëndrim Kqiku, Safete Mustafa- Baftiu.