Dramaturgu dhe profesori Haqif Mulliqi Foto: Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Facebook

Ka vdekur gazetari, dramaturgu e profesori universitar, Haqif Mulliqi

Gazetari, dramaturgu dhe profesori universitar, Haqif Mulliqi, ka vdekur sot.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur e bija e tij, Getoarbë Mulliqi.

“Babi na la. Dashnisë tonë ma të madhe iu ndalën dhimbjet, për me na fillu neve dhimbja e përjetshme” – ka shkruar ajo në Facebook.

Mulliqi ka qenë profesor në Fakultetin e Arteve dhe në Fakultetin e Filologjisë, Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Haqif Mulliqi ka punuar edhe si gazetar, redaktor gjatë viteve ’80 dhe ’90 të shekullit të kaluar e edhe gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka qenë magjistër i shkencave të filologjisë dhe doktor i shkencave te antropologjisë së dramës dhe teatrit.

“Veprimtarinë e tij si gazetar e kishte filluar në gazetën Bota e Re, (1983 – 1990), duke vazhduar në gazetën Fokus në Kroaci (1992), gazetën Potlet në Zagreb (1988 -1991), e më pastaj edhe si redaktor e korrespodent edhe në shumë gazeta e revista të tjera vendore dhe ndërkombëtare” – ka shkruar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në telegramin ngushëllues.

Mulliqi ka lënë pas vetes një krijimtari të gjerë në gazetari, publicistikë e dramaturgji.