Hapet thirrja për propozimin kosovar për edicionin e çmimeve OSCARS

Qendra Kinematografike e Kosovës ka hapur sot thirrjen për përzgjedhjen e filmit që do të përfaqësojë Kosovën në edicionin e 96-të të çmimeve OSCARS, në kategorinë për film ndërkombëtar/gjuhë të huaj.

Të drejtë aplikimi kanë të gjithë filmat kosovarë që nga 1 dhjetori 2022 e deri më 31 tetor 2023, për 7 ditë janë shfaqur në kinema.

“Në këtë kategori përfshihen filmat e metrazhit të gjatë artistik, dokumentarë dhe të animuar më të gjatë se 40 minuta, që janë shfaqur/do të shfaqen në kinema, apo VOD platformë, për më së paku 7 ditë radhazi, jo më herët se 1 dhjetor 2022 dhe jo më vonë se 31 tetor 2023”- thuhet në njoftim.

QKK thotë, në periudhën kualifikuese dhe gjatë shfaqjes në kinema, filmi duhet të reklamohet dhe shfrytëzohet në atë mënyrë e cila konsiderohet normale dhe e zakonshme me praktikat e shpërndarjes së filmave të dedikuar për shfaqje të parë në kinema (theatrical release).

Sipas QKK-së, filmat të cilët në një formë apo tjetrën, realizojnë shfaqje publike jo në kinema dhe shpërndarje para shfaqjes kualifikuese, nuk do të merren në konsideratë për çmimet OSCARS.

Nga 2014, Kosova fitoi të drejtën për të përzgjedhur një film për garën e çmimeve OSCARS në kategorinë e filmit të huaj.

Suksesi më i madh kinematografik i Kosovës mbetet nominimi i filmit të shkurtër britaniko-kosovar “Shok” në kategorinë “Best Live Action Short”, në OSCARS më 2016.

Afati i fundit për aplikim është 5 gusht 2023, ora 16:00.