ETEA hapi edhe dy minibiblioteka në Prishtinë

Organizata ETEA ka hapur dje edhe dy minibiblioteka në Prishtinë, njëra në lagjen “Qafa” e tjetra në “Arbëri”.

Hapja e këtyre dy bibliotekave është bërë në kuadër të aktiviteteve të  javës së ETEA-s “Hyjnesha n‘ libër – Java e minibibliotekave”, e cila do të sjellë edhe 5 minibiblioteka të reja në kryeqytet dhe përmbylljen e projektit të ETEA-s për hapjen e 12 minibibliotekave në lagjet e kryeqytetit gjatë këtij viti.

Dy minibiblioteka ETEA planifikon t’i hapë sot; një në Parku i Taukbashqes dhe një në Parku i Qytetit.  Ndërsa do të bëhet edhe rifunksionalizimi i minibibliotekës në lagjen “Bregu i Diellit”, e cila hapet te parku i ri afër sallës “1 Tetori” dhe asaj në Lagjen e Spitalit, e cila do të vendoset te rrethrrotullimi, (në mes Rr. “Muharrem Fejza” dhe Rr. “B”).

Ndërsa të enjten, ETEA do të hapë minibibliotekën e fundit në sheshin  “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.

Për vitin e ardhshëm ETEA planifikon zgjerimin e projektit të hapjes së minibibliotekave edhe në lagjet e qyteteve tjera të Kosovës, me fokus në 6 qendrat e mëdha, si: Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Pejë, Ferizaj dhe Gjilan.

Projekti “Minibibliotekat e lagjeve” u mundësua nga organizata ETEA dhe Kuvendi Rinor i Prishtinës, në bashkëpunim me librarinë ‘Dukagjini’ dhe Komunën e Prishtinës, përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare me burim financiar nga Zyra e BE-së në Kosovë.