Takimi Kurti- Zeqiri. Foto: Facebook/Albin Kurti
Dyshime për shkelje ligjore në rastin e emërimit të Blerta Zeqirit drejtoreshë e Qendrës Kinematografike
Emërimi i Blerta Zeqirit në postin e drejtoreshës së Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK) po dyshohet se është bërë në mënyrë të paligjshme.
Dyshimet janë se Zeqiri nuk e kishte të nostrifikuar dëshminë – diplomën universitare të fituar në Francë, siç kërkohet me Udhëzimin Administrativ të MASHTI-t, nr.16/2016, për njohjen dhe barasvlerën e diplomave të fituara jashtë shtetit, kur ka konkurruar në konkursin për drejtor të QKK-së e as në momentin e emërimit në postin e drejtoreshës së këtij institucioni.
Pasja e një diplome universitare nga fusha e artit dhe kulturës është një prej kritereve kryesore që duhet të plotësojë një kandidat për të qenë pjesë e procesit të rekrutimit në konkursin për drejtor të QKK-së. Sipas UA të MASHTI-t, nr. 16/2026 të gjithë qytetarët e Kosovës janë të obliguar të kërkojnë njohjen dhe barasvlerë të diplomave universitare të fituara jashtë shtetit në Ministrinë e Arsimit. Ndërsa në një përgjigje për KALLXO.com nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik në Ministrinë e Brendshme thuhet se diplomat universitare të fituara jashtë shtetit të pa nostrifikuara nuk kanë validitet në Kosovë.
Vendimi për zgjedhjen e regjisores Blerat Zeqiri në krye të QKK-së është marrë nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sipas Ligjit për Kinematografinë dhe u bë publik nga kryeministri Albin Kurti gjatë një takimi që pati me regjisoren Zeqiri në kryeministri.
Njoftimi për emrimin e Zeqirit në krye të QKK-së është publikuar edhe në ueb-faqen e MKRS-së.
Zgjedhja e regjisores Zeqiri në këtë post erdhi pas përmbylljes së konkursit për drejtor ë QKK, i hapur më 25.01.2023, ku Zeqiri doli si kandidatja e dytë e votuar nga Këshilli Drejtues i QKK-së.
Dyshimet lidhur me mos nostrifikimin e dëshmisë – diplomës universitare nga kandidatja Blerta Zeqiri dolën pas emërimit të saj në postin e drejtoreshës së QKK-së.
Për të sqaruar dyshimet, KALLXO.com ka kërkuar qasje në dëshminë e Zeqirit për përfundim të studimeve universitare, por MKSR ka lejuar që ajo vetëm të shihet, pa të drejtë kopjimi apo fotografimi.
Sipas asaj që ka ofruar MKRS, Berta Zeqiri, ka diplomuar në Paris – Francë, në Universitetin Paris 8, për Film dhe Studime Audiovizuele, (Diplomë e përgjithshme universitare të fituar në 2003 dhe Master në 2006).
Por, MKRS-ja nuk ka ofruar dëshmi se diploma, qoftë ajo e studimeve të përgjithshme apo master, e Zeqirit është apo ishte e nostrifikuar kur ajo ka konkurruar në konkursin pë drejtor të QKK-së. Bashkëngjitur me dëshminë – diplomën universitare në dosjen e Zeqirit (dokumentet e nevojshme për konkurrim në konkurs) gjendet një kërkesë e saj drejtuar NARIC- MASHTI-t për nostrifikim.
Sipas Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), nr. 16/2016, për Parimet dhe procedurat e njohjes së diplomave, gradave dhe kualifikimeve të larta profesionale dhe universitare të fituara jashtë Republikës së Kosovës, të gjithë diplomat e fituara në universitetet e huaja më qëllim punësimi do t`u nënshtrohen proceduarve të njohjes-barasvlerës (nostrifikimit) në këtë ministri.
Ndërsa, mbajtësit e këtyre diplomave, sipas këtij udhëzimi administrativ janë të detyruar të kërkojnë njohjen diplomave.
“Qytetarët e Kosovës janë të obliguar të kërkojnë njohjen dhe barasvlerë të diplomave dhe kualifikimeve të arsimit të lartë të fituar jashtë Republikës së Kosovës”- thuhet në paragrafin 5 të nenit 3 të UA së MASHTI-t nr. 16/2016 për njohjen dhe barasvlerën e diplomave.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme- Departamenti i Menaxhimit të Zyrtarëve Publik kanë thënë për KALLXO.com se diplomat universitare të fituara jashtë shtetit të pa nostrifikuara nuk kanë validitet në Kosovë.
Çështja e rekrutimit të pozitave për zyrtarët publik, sipas MPB-së është e rregulluar me legjislacionin në fuqi të Kosovës. Sipas MPB-së, me legjislacionin e aplikueshëm në Kosovë për njohjen e titujve e diplomave të fituara në ciklet përkatëse arsimore janë tre (3) lloje diplomash-titujsh që njihen: diplomat/titujt e institucioneve arsimore dhe universiteteve të akredituara në vend; ato të fituara jashtë por që nostrifikohen në MASHTI dhe ato diploma që me marrëveshje ndërshtetërore njihen duke u fuqizuar me aktet përkatës.
“Përtej kategorive të sipërmendura, një diplomë-titull i fituar jashtë Kosovës, nuk mund të ketë vlefshmëri për të aplikuar dhe përzgjedhur në një pozitë të zyrtarit publik në RKS”- thuhet në Përgjigjën e DMZP-së MPB-së, për KALLXO.com.
KALLXO.com, me ditë të tëra ka pritur një përgjigje nga MKRS se ku është mbështetur kur i ka lejuar Zeqirit të garojë për drejtor të QKK-së pa pasur të nostrifikuar diplomën universitare. Por, kjo e fundit nuk është përgjigjur deri në momentin e publikimit të artikullit. As Zeqiri nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com lidhur me dyshimet se ajo nuk e ka të nostrifikuar diplomë universitare të fituar në Francë.
Ndërsa, Xhejlane Tërbunja, kryetare e Këshillit Drejtues të QKK-së, ka thënë se përgjegjës për verifikimin e dokumenteve të kandidatëve për drejtor të QKK-së janë burimet njerëzore në MKRS.
“Sipas ligjit, rregullores, sa i përket dokumenteve për të aplikuar për drejtor të QKK-së, me ketë punë merren Divizioni i burimeve njerëzore, kështu që nëse keni ndonjë pyetje në lidhje me këtë çështje, drejtohu te Divizioni i burimeve njerëzore”- ka thënë Tërbunja.
KALLXO.com ka pyetur në MASHT lidhur me nostrifikimin – kërkesën e Zeqirit për njohjen e diplomës universitare të fituara në Paris.
Besa Bytyçi, udhëheqëse e Divizionit për komunikim ka thënë për KALLXO.com se Zeqiri ka aplikuar për nostrifikimin e diplomave të fituara në Francë.
“Ju informojmë se Blerta Zeqiri ka aplikuar për njohje të diplomave të fituara në Francë. Lënda është në procedurë në Qendrën për njohje të diplomave, (NARIC KOSOVA) dhe jemi në pritje të përgjigjeve nga autoritetet franceze”- tha ajo ditë më parë për KALLXO.com.
Nga testimi deri të zgjedhja e Zeqirit në krye të QKK-së
Konkursi për zgjedhjen e drejtorit të QKK-së është hapur më 25.01.2023 ndërsa është mbyllur më 10.03.2023.
Përveç Zeqirit në garë për postin e drejtorit të QKK-së ishin edhe Visar Krusha dhe Lum Çitaku.
KALLXO.com ka monitoruar nga afër testimin me shkrim dhe intervistimin e kandidatëve.
Testimi dhe intervistimi i kandidatëve, sipas Ligjit për Kinematografi është bërë nga KD i QKK-së.
Sipas vlerësimit përfundimtar të KD-së së QKK-së, kandidati më i votuar doli Lum Çitaku me 98, 5 pikë, Blerat Zeqiri u rendit e dyta me 88.1, ndërsa Visar Krusha 82.2 pikë në total.
Sipas Ligjit për Kinematografinë, drejtori i QKK-së emërohet nga ministri i MKRS-së, nga lista me jo më pak se dy kandidatë që propozohen nga komisioni për zbatimin e konkursit.
“Për emërimin e drejtorit të QKK, Ministria e Kulturës shpall konkurs publik. Drejtorin e QKK e emëron Ministri për Kulturë nga lista me jo më pak se dy kandidatë që propozohen nga komisioni për zbatimin e konkursit. Për drejtor të QKK emërohet personi që ka arsimim universitar, që ka aftësi organizative e menaxhuese, ose kineast a krijues me reputacion”- thuhet në pikën 1, neni 32 i Ligjit për Kinematografinë.
Drejtori i QKK-së zgjedhet për një mandat 4-vjeçar me mundësi vazhdimi.