Doli e dyta në konkurs, regjisorja Blerta Zeqiri emërohet drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës

Blerta Zeqiri është zgjedhur drejtoreshë e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Vendimi për zgjedhjen e saj është marrë nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sipas Ligjit për Kinematografinë.

Njoftimi për zgjedhjen e Zeqirit në postin e drejtoreshës së QKK-së është bërë i ditur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook.

Zgjedhja e regjisores Zeqiri në këtë post erdhi pas përmbylljes së konkursit për drejtor të QKK, i hapur më 25.01.2023, ku Zeqiri doli si kandidatja e dytë e votuar nga këshilli drejtues i QKK-së.

Kryeministri Kurti ka bërë të ditur në Facebook se bashkë me ministrin Çeku në zyrë ka pritur drejtoreshën e sapozgjedhur të Qendrës Kinematografike të Kosovës, regjisoren Blerta Zeqiri.

“Blerta është ndër emrat më të suksesshëm në kinematografinë e Kosovës. Ajo njihet për cilësinë e krijimtarisë dhe kontributin për zhvillimin e sektorit të filmit. Blerta nisi një angazhim të ri, duke e bartur zërin dhe potencialin e komunitetit brenda institucionit më të lartë të filmit. Me Blertën në krye të QKK-së fuqizohet tutje reforma jonë në kinematografi. Me buxhet të rritur për prodhim të filmit dhe ligjin e ri në prag të miratimit përfundimtar, kinematografia jonë do të arrijë nivele të reja të suksesit ndërkombëtar”- ka shkruar kryeministri Çeku në Facebook.

Blerta Zeqiri në këtë post është zgjedhur për një mandat 4-vjeçar.

Nga fundi i vitit 2013 e deri në gusht të vitit 2014, Zeqiri mbajti postin e drejtoreshës për Kulturë në Komunën e Prishtinës, kur kryeqyteti drejtohej  nga Shpend Ahmeti, i cili asokohe ishte me  Lëvizjen Vetëvendosje.

Zgjedhja e regjisores Zeqiri në këtë post erdhi pas përmbylljes së konkursit për drejtor të QKK, hapur më 25.01.2023, ku Zeqiri doli si kandidatja e dytë e votuar nga këshilli drejtues i QKK-së.

Përveç Zeqirit në garë për postin e drejtorit të QKK-së ishin edhe Lum Çitaku dhe Visar Krusha. Konkursi për zgjedhjen e drejtorit të QKK-së është hapur në  janar të këtij.

Kurse intervistimi i kandidatëve është bërë gjatë këtij muaji.

KALLXO.com ka monitoruar nga afër testimin me shkrim dhe intervistimin e kandidatëve.

Testimi me shkrim është mbajtur më 3 prill, ku Lum Çitaku doli i pari me 98 pikë, e dyta Blerta Zeqiri me  88.7, ndërsa Visar Krusha i treti me 79.9 pikë.

Intervistat me kandidatë janë mbajtur më 12 prill.

Edhe në intervistën me gojë, Lum Çitaku u vlerësua më së shumti nga KD i QKK-së.  Ai mori 99 pikë, Zeqiri 87. 35, kurse Krusha 84.45 pikë.

Në fund, sipas vlerësimit përfundimtar të KD-së së QKK-së, Çitaku grumbulloi 98, 5 pikë, Zeqiri 88.1, ndërsa Krusha 82.2 pikë në total.

Sipas Ligjit për Kinematografinë, drejtori i QKK-së emërohet nga ministri i MKRS-së, nga lista me jo më pak se dy kandidatë që propozohen nga komisioni për zbatimin e konkursit.

“Për emërimin e drejtorit të QKK, Ministria e Kulturës shpall konkurs publik. Drejtorin e QKK e emëron Ministri për Kulturë nga lista me jo më pak se dy kandidatë që propozohen nga komisioni për zbatimin e konkursit. Për drejtor të QKK emërohet personi që ka arsimim universitar, që ka aftësi organizative e menaxhuese, ose kineast a krijues me reputacion”-thuhet në pikën 1, neni 32 i Ligjit për Kinematografinë.

Drejtori i QKK-së zgjidhet për një mandat 4-vjeçar me mundësi vazhdimi.