Çeku: Do rinovohen dy objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se do bëhet rinovimi i dy objekteve të trashëgimisë kulturore, ai i shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë dhe xhamia e Drenocit në komunën e Deçanit.

Ai përmes një njoftimi potencoi se është nënshkruar marrëveshje për ndarjen e 360 mijë eurove shtesë për këtë projekt.

Ndërsa, restaurimi i objekteve do bëhet nga UNDP.

“Dje nënshkruam një marrëveshje për ndarjen e shumës prej 360,000 euro shtesë për të rinovuar dy objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. MKRS do të financojë dhe UNDP do të zbatojë restaurimin e plotë të dy monumenteve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore: shtëpinë e Xhafer Devës në Mitrovicë dhe xhaminë e Drenocit në komunën e Deçanit”, ka thënë Çeku.

Këto ndërhyrje, sipas ministrit Çeku po zbatohen në kuadër të Instrumentit të Bashkimit Evropian që kontribuon në Stabilitet dhe Paqe (ICSP), i financuar nga projekti “Trashëgimia Kulturore si Drejtuese e Dialogut Ndër-Komunitar dhe Kohezionit Social”, i cili zbatohet nga UNDP, në bashkëpunim të ngushtë me MKRS-në.

Çeku tutje potencoi se së bashku me kontributin e BE-së prej 2 milionë eurove për projektin “Trashëgimia Kulturore si Drejtuese e Dialogut Ndër-Komunitar dhe Kohezionit Social”, marrëveshja e sotme për ndarjen e shumës prej 360,000 euro shtesë nga MKRS është dëshmi dhe përkushtim për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes BE, MKRS dhe UNDP.