Beogradi nuk do ofrojë hapësira për festivalin “Mirëdita, Dobar dan” thotë kryetari i komunës

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të komunës së Beogradit, Aleksandar Shapiq, ka thënë se, nuk do ta japë asnjë lloj pëlqimi për mbajtjen e festivalit “Mirëdita, dobar dan”, i cili ka për qëllim krijimin një platforme për bashkëpunim dhe dialog midis qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës.

Sipas raportimit të N1, Shapiqi është shprehur kundër mbajtjes së festivalit, sepse, siç pretendon “vite më parë festivali falsifikoi dhe ndryshoi drejtpërdrejt historinë përmes promovimit të trashëgimise kulturore të Kosovës, duke përjashtuar atë serbe ku organizatorët po ashtu vënë në pikëpyetje integritetin territorial të Serbisë”- është shprehur ai.

Ai madje theksoi se organizatorët shkuan edhe një hap më larg pasi caktuan festivalin më 28 qershor kur është festa e Vidovdanit (Beteja e Kosovës).

Festivali parashihet të zgjasë nga 27-29 qershor.

“Ne, si administratë e qytetit, nuk kemi mundësi ligjore t’i ndalojmë, por në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që asgjë që ka të bëjë me qytetin e Beogradit të jetë në shërbim të tyre”, tha Shapiq.

Festivali “Mirëdita, dobar dan” mbahet në Beograd që nga viti 2014, me qëllim të krijimit të një platforme për bashkëpunim dhe dialog midis qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës.