Lajçak e "përditëson" kryeministrin e ri serb me zhvillimet rreth dialogut në Bruksel

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak është takuar me kryeministrin e ri të Serbisë, Millosh Vuçeviq.

Lajçak ka njoftuar se takimi me Vuçeviqin është zhvilluar në Athinë të Greqisë.

Sipas njoftimit të Lajçakut në rrjete sociale, me kryeministrin e ri serb, ai ka folur për dialogun me Kosovën.

“E përditësova me situatën në dialog dhe për marrëdhëniet BE-Serbi” – shkroi Lajçaku.

Kuvendi i Serbisë e ka zgjedhur qeverinë e re më 02.05.2024 pas një debati disaorësh dhe me gjithë kritikat nga opozita.

Me 152 vota për, 61 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Serbisë votuan për Qeverinë e re të Serbisë më 2 maj.

Përbërja e Qeverisë së re u kritikua paraprakisht nga Departamenti amerikan i Shtetit, pasi pjesë e saj janë dy zyrtarë të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.