array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Premtimi bosh për rritjen e numrit të testimeve për COVID-19

Deklarata

Armend Zemaj- “Do të rritet numri i testimeve për COVID-19”.

Vlerësimi

Rrenë

Megjithë premtimet e vazhdueshme nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, numri i testimeve ditore nuk është rritur as deri tek shifra 600 brenda ditës.

Artikulli

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj disa herë ka premtuar  se do të rriten kapacitetet e testimeve për COVID-19, por kjo gjë ende nuk ka ndodhur.

Tash e disa muaj që nga shfaqja e rasteve të para me COVID-19, në Kosovë ende nuk është arritur numri 600 i testimeve ditore.

Në disa konferenca, mbledhje të komisioneve e deklarata në Facebook, Zemaj ka premtuar se do të rriten kapacitetet testuese sidomos tash, kur MSh ka licencuar dy laboratore private për kryerjen e testiemeve për COVID-19 me metodën RT PCR.

Zemaj derisa po raportonte para Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, ka thënë se synojnë që të kalojnë numrin e 3 mijë testimeve brenda ditës.

“Nëse ne brenda një kohe të shkurtër arrijmë që në institucionet tona publike dhe i ofrojmë në laboratorët tanë publik, në gjashtë qendrat regjionale dhe duke e fuqizu apo dyfishu kapacitet në IKSHPK dhe në Klinikën Infektive, atëherë si shërbime të ofruara në institucionet publike ne do të mbërrim maksimumin dhe plotësimin e të gjitha nevojave”, kishte deklaruar ai.

Njëjtë ishte deklaruar edhe kur ka nënshkruar udhëzimet administrative për lejimin e kryerjes së testimeve në laboratoret private, me 14 korrik.

“Kam nënshkru bordin e ri për pjesën për COVID-19 të laboratorëve privat dhe menjëherë sot do të fillojnë institucionet publike që ta rrisin numrin e testimeve edhe komuna e Prishtinës është në pritje të testimeve”, ishte shprehur Zemaj.

Për të njëjtën rritje Zemaj kishte propozuar edhe “Planin për rritjen e testimeve për COVID-19”, të cilin e kishte miratuar edhe Qeveria e Kosovës në fillim të muajit korrik.

“Grupi profesional i Ministrisë së Shëndetësisë u përcaktua  për një plan të veprimit që është rritja e mbulueshmërisë së popullatës me testime për COVID-19”, ka thënë Zemaj.

Premtime për rritje të testimeve Zemaj kishte bërë edhe në muajin qershor.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kishte deklaruar se do të vazhdojnë të forcojnë përgjigjet ndaj pandemisë së coronavirusit, mes tjerash edhe përmes rritjes së numrit të testimeve.

“Në rrafshin e monitorimit të situatës epidemiologjike dhe mbajtjes nën kontroll të saj, Minsitria e Shëndetësisë dhe IKShPK do të vazhdojnë të forcojnë përgjigjet ndaj pandemisë, përmes gjurmimit aktiv të rasteve, rritjes  së testimeve, izolimit të rasteve pozitive dhe kontaktit dhe trajtimit të të prekurve qoftë në mënyrë spitalore apo tretmanit shtëpiak”, ishte deklaruar Zemaj.

“Po punojmë që masat tjera si bartja e maskave, distancë fizike, higjiena individuale e kolektive të bëhen pjesë e një zbatimi aktiv dhe normë që duhet respektuar nga të gjithë”, kishte shtuar ministri.

Zemaj kur është pyetur së fundmi se  kur do të fillohet të rritet numri i testeve brenda ditës në nivel vendi, nuk ka dhënë ndonjë datë.

Ai ka thënë se janë në fazën e blerjes së pajisjeve të reja për kryerjen e testimeve për COVID-19.

“Jemi në finalizim të marrjes së aparaturave edhe nga blerjet e Ministrisë së Shëndetësisë edhe nga OBSh-ja të cilat janë të garantuara në ardhje tri aparatursa për testet PCR, shtatë aparatura që janë në blerje e Ministrisë së Shëndetësisë, po ashtu për PCR por edhe për shtatë aparatura për testime serologjike”, potencoi Zemaj.

Ai gjithashtu theksoi se ka nënshkruar udhëzimin administrativ edhe për Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në çdo komunë.

“Kam nënshkru edhe udhëzimin administrativë edhe për QKMF-të që çdo komunë në QKMF-të e tyre kryesore mund të ndërtoje edhe laboratore edhe të japin edhe ata shërbimet e testimeve serologjike”, theksoi Ministri.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se deri në fund të këtij viti është menduar t’i ketë 100 mijë teste virologjike dhe dyfishin e testeve serologjike, me të cilat do të testohet popullata në mënyrë që të diagnostikohet COVID-19.

Megjithatë, edhe pas licencimit të laboratorëve privatë, në njoftimet ditore të Institutit të Shëndetësisë Publike të Kosovës, nuk është rritur numri i testimeve të kryera brenda 24 orëve –mesatarisht  deri në 500 në ditë.

Që nga fillimi i pandemisë në muajin mars, numri total i rasteve pozitive është 12.981, nga 49.277 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 498 raste të vdekjes.

Krypometri edhe më herë e ka matur deklaratën e kryeministrit të Kosovës për testime masive për popullatën.

Në fjalimin e parë si kryeministër, Avdullah Hoti kishte premtuar testime masive për COVID-19.

“Kjo infrastrukturë duhet të ketë këto karakteristika: e para, të ketë kapacitete për të kryer numër shumë të madh testesh, si virologjike, ashtu edhe serologjike, në popullatën e përgjithshme simptomatike dhe asimptomatike, me procedura të shpejta që aktivizohen në rast të sinjalit se epidemia mund të shpërthejë”, kishte thënë Hoti me 3 qershor, në ditën kur është zgjedhur kryeministër.

Hoti kishte premtuar se testime edhe në institucionet private shëndetësore e madje edhe vet-testime.

“Duhet të bëhet decentralizimi i kapaciteteve testuese në spitale rajonale, në kujdesin parësor dhe në institucione private shëndetësore, duke marrë në konsideratë edhe vendosjen e stendave të vetë testimit në publik, me të cilat do të ulej presioni ndaj sistemit tonë shëndetësor. Kjo qasje mundëson që lehtë dhe shpejt të bëhen testime për grupet e rrezikuara, për personat që kujdesen për pacientët me sëmundje kronike dhe për personat asimptomatikë ose ata që janë në kontakt të afërt me rastet e konfirmuara”, kishte thënë Hoti.

Premtimet nuk janë ndalur. Së fundmi, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka paralajmëruar strategji të re të testimeve për COVID-19. Zemaj ka përmendur synimin që të shkohet me testimet në masë për coronavirusin.

“Jemi duke përgatitur strategjinë e re të testimeve me synim që të shkojmë edhe me testime në masë”, theksoi ministri Zemaj të hënën në një konferencë për media.

 

27 ditë të qeverisë Hoti, testet masive veç premtim

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian”.