array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Ragip begaj, NISMA, Malishevë. Foto: Kallxo.com

Komuna e Malishevës, dy vjet pa Komitet funksional të Auditimit

Deklarata

Ragip Begaj: Komiteti i auditimit është i formuar, i ka mbajtur dy mbledhje këtë vit dhe ata janë në funksion e sipër.

Ligji: Komiteti i Auditimit duhet të përbëhet nga tre ose pesë anëtarë. Komitetit të Auditimit mbahen së paku katër herë në vit dhe ftohen nga kryesuesi i Komitetit të Auditimit.

 

Ragip Begaj

Vlerësimi

Rrenë

Komiteti i Auditimit nuk ka funksionuar gjatë vitit 2017. Ndërsa, në fillim të vitit 2018 i kishte skaduar mandati dhe i njëjti është kompletuar vetëm një vit më vonë, pra në fillim të vitit 2019. Kompletimi i komitetit të Auditimit dhe mbajtja e të paktën 4 takimeve në vit është kërkesë ligjore.

Artikulli

Komiteti i Auditimit në Komunën e Malishevës nuk ka qenë funksional për një vit të tërë. Komitetit të kaluar të Auditimit i kishte skaduar mandati në muajin shkurt të vitit 2018. Ndërsa Komiteti i ri i Auditimit është formuar vetëm një vit më pas, në shkurt të vitit 2019.

“Në shkurt të vitit të kaluar i ka përfunduar mandati, ndërsa është formuar këtë vit, në muajin shkurt”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Malishevës për Kallxo.com.

Sipas Udhëzimit Administrativ për Themelimin dhe Funksionimin e Komitetit të Auditimit, Komiteti i Auditimit duhet të përbëhet nga tre ose pesë anëtarë. Komiteti i Auditimit ka mandat tre vjeçar, me mundësinë e riemërimit, por jo më shumë se për dy mandate të njëpasnjëshme.

Në muajin shkurt të këtij vitit është formuar Komiteti i Auditimit në Komunën e Malishevës me këtë përbërje: Avni Krasniqi, Elmi Krasniqi dhe Vera Bytyçi.

Sipas Udhëzimit Administrativ, takimet e Komitetit të Auditimit mbahen së paku katër herë në vit dhe ftohen nga kryesuesi i Komitetit të Auditimit. Por në Malishevë gjatë vitit 2018 nuk është mbajtur asnjë takim i Komitetit të Auditimit siç është e përcaktuar me Udhëzimin Administrativ. Kjo për shkak se Komitetit të kaluar të Auditimit i kishte skaduar mandati, ndërsa i riu ishte formuar pas një viti.

“Gjatë vitit të kaluar nuk ka mbajtur asnjë takim, pasi ish anëtarët e kanë përfunduar mandatin dhe më pas nuk është formuar deri vonë. Këtë javë, ose javën në vijim besoj se do të mbajnë takim”, vazhdon përgjigja e Komunës së Malishevës për Kallxo.com.

Në emisionin ‘Debat Pernime’ për balotazhin në Malishevë, kryetari Ragip Begaj kishte deklaruar se Komiteti i Auditimit në Malishevë është funksional. Begaj ishte shprehur se deri në fund të vitit 2017, kur edhe ishte mbajtur debati, ky Komitet i kishte zhvilluar dy takime.

“Komiteti i auditimit është i formuar, i ka mbajtur dy mbledhje këtë vit dhe ata janë në funksion e sipër”, kishte thënë Begaj në ‘Debat Përnime’.

Por, në raportin e auditimit për vitin 2017, thuhet se Komiteti i Auditimit nuk ka funksionuar gjatë vitit 2017. Ndërsa, sa i përket Auditorit të Brendshëm thuhet se ka funksionuar dobët.

Sipas ZKA-së, Auditori i Brendshëm kishte planifikuar 10 auditime gjatë vitit 2017, mirëpo vetëm pesë prej tyre ishin realizuar. Megjithëse kjo njësi kishte kryer edhe dy auditime tjera me kërkesë të kryetarit. Po ashtu thuhet se aktivitetet e auditimit nuk kanë mbuluar mjaftueshëm aktivitetet e vitit aktual, mirëpo janë fokusuar kryesisht në vitin 2016.

Një nga gjetjet e evidentuara në raport është se Komiteti i Auditimit nuk ka funksionuar gjatë vitit 2017.

“Këto rezultate pasqyrojnë mungesën e angazhimit të menaxhmentit në njohjen dhe maksimizimin e përfitimit të auditimit të brendshëm ose për të kërkuar siguri për funksionimin efektiv të kontrolleve të brendshme”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, mungesa e statutit vështirëson definimin e qartë të autoritetit, përgjegjësive dhe sistemin e funksionimit të këtyre njësive, derisa mos përmbushja e planit vjetor të auditimit zvogëlon sigurinë që i ofrohet menaxhmentit në lidhje me funksionimin e kontrolleve të brendshme.

“Kryetari duhet të sigurojë se janë përgatitur statutet për NjAB-në, për të përcaktuar qartë funksionimin e tyre, si dhe të sigurojë se NjAB do të të përmbushë planin vjetor dhe do të ketë në fokus të veçantë aktivitetet në vitin aktual. Po ashtu duhet të themelojnë një komitet të auditimit i cili do të ndihmojë aktivitetet operative në vazhdim, më fokus në zbatimin e rekomandimeve, në mënyrë që përfitimet nga auditimi i brendshëm të jenë sa më të larta”, theksohet në rekomandimin e ZKA-së.

Komiteti i Auditimit me vetëm 2 takime të rregullta në 2016

raportin e auditimit të vitit 2016 për Komunën e Malishevës thuhet se raportet e Auditorit të Brendshëm kishin të bënin kryesisht me aktivitetet e vitit 2015. Po ashtu sipas ZKA-së, Auditori i Brendshëm kishte dështuar në përmbushjen e planit vjetor të auditimit.

“NJAB dhe Komiteti i Auditimit të brendshëm nuk kanë hartuar statute për auditim të brendshëm. Komiteti i Auditimit gjatë vitit 2016 kishte mbajtur vetëm dy takime të rregullta”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2016.

Sipas ZKA-së, mos përmbushja e planit vjetor të auditimit dhe mos mbulimi i aktiviteteve të vitit aktual nga Auditori i Brendshëm, rritë rrezikun që sistemi i kontrollit të brendshëm të mos përmirësohet dhe gabimet të përsëriten.

“Kryetari duhet të siguroj se NJAB do të përmbushë planin vjetor dhe do të ketë në fokus të veçantë aktivitetet në vitin aktual. Kontributi i tij duhet të jetë më produktiv përmes raporteve kualitative. Statuti i NJAB dhe i Komitetit të Auditimit duhet të hartohet dhe të aprovohet nga menaxhmenti, në mënyrë që roli i AB të jetë më i qartë. AB dhe Komiteti i Auditimit të jenë më aktive në fushëveprimin e tyre”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së drejtuar kryetarit të Komunës së Malishevës.