Stevan Vuloviq, Zubin Potok. Foto: KFOR

Kryetari i Zubin Potokut arsyetyon dorëheqjen

Kryetari i komunës së Zubin Potokut, Stevan Vuloviq, e ka deponuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) letrën e dorëheqjes së tij nga ky post.

Vuloviq dha dorëheqje sot paradite bashkë me tre kolegët e tjerë të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Leposaviqit në shenjë proteste pas vendosjes së taksës 100% ndaj produkteve serbe nga ana e qeverisë së Kosovës javën e kaluar.

Në tekstin e letrës së dorëheqjes të cilën e ka siguruar KALLXO.com, Stevan Vuloviq ka dhënë arsyet për këtë vendim.

“Për shkak të vendosjes së taksës anticivilizuese, të padrejtë dhe johumane prej 100% me të cilën bllokohet furnizimi dhe shpërndarja e mallit nga Serbia qendrore në Kosovë e cila na ka rënduar të drejtën për jetë, mjekim, informim publik, mbijetesë dhe qëndrim në vatrat e tyre e të cilat paraqesin shkak për krizë humanitare të përmasave më të gjera”, thuhet në letrën 4 pikëshe të dorëheqjes së Stevan Vuloviq.