Memli Krasniqi - Foto: KALLXO.com

Krasniqi: Të sillen detaje para deputetëve për ndërtimin e Termocentralit 'Kosova e Re'

Memli Krasniqi shef i grupit parlamentar të PDK-së tha se qeveria duhet sa më parë të sjell detaje konkrete për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re para deputetëve në mënyrë që të filloj edhe ndërtimi.

“Unë pajtohem që kjo pako duhet ta ketë mbështetjen e deputetëve dhe si e tillë duhet të jetë e favorshme për Republikën e Kosovës, por deri më tani ne nuk kemi detaje konkrete se si mund të duket ajo dhe kërkojmë që sa më për të merren veprime konkrete nga qeveria për të ardh deri në këtë pikë që të filloj ndërtimi i Termocentralit”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se projekti është dizajnuar në atë mënyrë që të përmbush qëllimin e inicimit të këtij projekti duke i adresuar kërkesat dhe obligimet e qeverisë ndaj investitorit dhe investitorit ndaj kontratës.

“Ne kemi kërkuar që investitori të bartë riskun e financimit, të marr përsipër riskun e ndërtimit, por edhe riskun e operimit të këtij termocentrali të ri. Institucionet e vendit tonë duhet të kujdesen që energjia e gjeneruar me prioritet të plasohet në tregun vendor në funksion të sigurimit të furnizimit me energji”, tha Krasniqi.

Sipas tij themelimi i ndërmarrjes së re energjike të Kosovës që është temë e interpelancës është një nga obligimet kontraktuale dhe i shërben argumentit para institucioneve financiare ndërkombëtare që Kosova është duke i përmbushur detyrat dhe obligimet e veta siç i ka marr përmes kontratës së projektit.

“Uroj që ky vit të jetë viti i fillimit të ndryshimit të gjendjes energjetike në Kosovë me ndërtimin e termocentralit si projekti me i madh investiv në 20 vitet e pasluftës”, shtoi Krasniqi.

Në Kuvendin e Kosovës po mbahet interpelanca e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në lidhje me themelimin e Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës.