KQZ-së don të dijë nëse kryetarët e dorëhequr do të kandidojnë prapë në zgjedhjet e veriut

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur sërish lidhur me procesin e mbajtjes së zgjedhjeve për 4 komunat serbe.

KQZ, ka njoftuar se dje është përmbyllur afati i aplikimit të subjekteve politike. Deri më tani Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista serbe janë tri subjektet që kanë aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 19 majit në veri.

Mirëpo anëtarët e KQZ-së kërkuan më shumë informacione nga Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, nëse të njëjtit kryetarë të dorëhequr nga Lista Serbe janë duke kandituar prapë.

Valmira Selmani, ushtrues detyre e drejtoreshës së zyrës së partive politike, tha që kanë filluar me përgatitjet për këto zgjedhje.

“Zyra në bazë të planit operacional për zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar komunë, ka zhvilluar aktivitetet e saj ku ka njoftuar subjektet politike lidhur me aplikimin për certifikim të subjekteve politike poashtu dhe me vendimin të cilin  e ka miratuar KQZ-ja lidhur me kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore si dhe numrin e votuesve për komunat përkatëse dhe këtu kemi komunikuar edhe me panelin zgjedhor për ankesa dhe parashtresa lidhur me gjobat e subjekteve politike të cilat i kanë gjatë fushatave zgjedhore të viteve paraprake” tha ajo.

Tutje Selmani bëri të ditur që janë duke shqyrtuar dokumentacionin e partive politike të cilat kanë aplikuar në këto zgjedhje.

“Dje ka qenë afati i fundit për aplikim të subjekteve politike, ku është përmbyllur, dhe brenda këtij afati kanë aplikuar për tu certifikuar tri parti politike për komunat përkatëse, i keni tabelat e bashkangjitura poashtu edhe emrat e kandidatëve. Brenda kësaj periudhe zyra është duke shqyrtuar dokumentacionin e subjekteve politike kur mund ti paraqesim shkresat për subjektin politik nëse ka përmirësim kufizime brenda periudhës dhe afatit të caktuar”  tha ajo.

Sami Hamiti anëtarë i anëtar i KQZ-së nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka kërkuar që të dijë se a kanë zotësi juridike kandidatët që kanë aplikuar për kryetarë komune si dhe sa prej tyre janë që kanë dhënë dorëheqje para gjashtë muajsh e që përsëriten prapë.

Në përgjigjen e saj Valmira Selmani nga ZRPPC, tha se ende nuk kanë konfirmim nëse janë të njëjtit kandidat.

“Zyra ka dërguar listat e kandidatëve për të verifikuar nëse gjenden në listën e votuesve dhe a janë banorë të Republikës së Kosovës nga databaza kemi marrë konfirmimin se gjenden të gjithë në listën votuese por sa prej tyre janë që kanë dhënë dorëheqje dhe garojnë nuk e e kemi marrë konfirmimin, por gjatë ditës së sotme do ta marrim verifikimin nga databaza” tha ajo.

Mirëpo Hamiti kërkoi edhe një herë sqarime, duke thënë që për 3 nga ta sigurte e dinë që janë të njëjtit.

“Do të thotë nuk e keni shikuar sa kandidat prej tyre kanë qenë në zgjedhje për kryetar në zgjedhje të 1027 e që përsëriten në këtë listë, a janë tre apo janë të katërtit, sepse për tre po e dimë sigurte”, tha ai.

Kërkesës së tij iu bashkëngjit edhe anëtari i VV-së , Adnan Rrustemi, pasi që sipas tij nuk është e zakonshme mënyra sesi kemi ardhur tek këto zgjedhje.

“Mendoj që duhet ta trajtojmë më thellësisht komplet aplikacionin e Listët Serbe dhe aplikacionet e kandidatëve të saj, unë nuk jam kundër asnjë serbi në Kosovë, secili e ka të drejtën e kandidatit, poashtu edhe qytetaret e këtyre komunave e kanë të drejtën për tu qeverisur por që i është mohuar nga dorëheqjet tërësisht politike” tha Rrustemi.

Rrustemi tha që KQZ-ja duhet ti kërkoj nga MAPL-ja letrat e dorëheqjeve të kryetarëve të këtyre katër komunave, arsyet, format e dorëheqjeve sepse KQZ-ja nuk i ka parë dhe Qeveria e Kosovës nuk ka folur për këtë gjë.

Edhe Florian Dushi nga anëtarë nga LDK-ja kërkoi që të sqarohen këto dyshime të ngritura.

Më 19 maj do të zgjidhen kryetarët e komunave Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme ka ndarë mbi 470 mijë euro për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e komunave në veri.

Katër kryetarët e komunave veriore kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, si përgjigje ndaj taksës prej 100% për Serbinë.