Pamje nga Prishtina - Foto: REL

Kosova shënon Ditën e Popullsisë

Me rastin e Ditës Botërore të Popullsisë, Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara – UNFPA Zyra në Kosovë, organizon tryezën me temën globale “Çka ka ndryshuar?” “Ku kemi qene?” “Ku jemi?” dhe “Ku synojmë të shkojmë?”. Ngjarja mbahet në Hotel Swiss Diamond në Prishtinë, duke filluar nga ora 9:30.

Dita Botërore e Popullsisë është një ngjarje e përvitshme, e cila synon të fokusojë vëmendjen në urgjencën dhe rëndësinë e çështjeve të popullsisë siç janë planifikimi familjar, barazia gjinore, varfëria, shëndeti i nënave dhe të drejtat e njeriut.

Viti 2019 është vit jubilar në disa aspekte për UNFPA-në pasi që këtë vit shënohet 50-vjetori i formimit të UNFPA-së në OKB, pastaj 25-vjetori i mbajtjes së Konferencës Ndërkombëtare për Popullsi dhe Zhvillim që është mbajtur në Kajro në vitin 1994 dhe që është platforma e mandatit të UNFPA-së dhe është 20-vjetori i punës së UNFPA-së në Kosovë.

Kjo tryezë do të mbledhë panelistë dhe akterë tjerë nga institucione të ndryshme si Ministria e Shëndetësisë (MSH), Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP), Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), OJQ, etj, që do të flasin se çka ka ndryshuar në Kosovë në fushën e shëndetit dhe të drejtave riprodhuese, planifikimit familjar, çështjeve gjinore, të dhënave mbi popullsinë etj.

Në kuadër të kësaj dite, nga ora 20:00 do të mbahet edhe një shfaqje mbi fuqizimin e të rinjve te obelisku Newborn.