Matesit per radiatore

Prishtinë, t`u hapen dyert ekipeve që vendosin matësit në radiatorë, me përfundim të grantit kostoja shkon deri në 500 euro

Në vitin 2020 Korporata Amerikane e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) në bashkëpunim me ngrohtoren Termokos përmes ‘Prishtina Heat Save’ ka nisur procedurat e projektit për vendosje të matësve në radiatorë të konsumatorëve të ngrohtores Termokos.

Nga sezoni dimëror 2023 pritet që afër 17,000 banesa dhe lokale do të pajisen me njehsorë, valvula kontrolluese, alokatorë të ngrohjes si dhe koka termike në çdo radiator të tyre.

Në këtë investim merr pjesë edhe komuna e Prishtinës.

Pas analizave në teren, gjatë këtij viti ekipet kanë nisur vendosjen e matësve nëpër radiator të konsumatorëve të ngrohtores së qytetit. Pajisjet që instalohen janë pjesë e grantit 100%  të MCC-së.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama në një intervistë për MCC në ‘Momentetet e Mileniumit’ u ka bërë thirrje qytetarëve t’i lejojnë ekipet të bëjnë instalimin e këtyre pajisjeve sepse pas përfundimit të grantit, kostoja e tyre mund të shkojë deri në 500 euro.

“Matësit kanë një rëndësi për arsye se deri tani të gjithë qytetarët kanë pas një tarifë e cila ka qenë e bazuar në metra katror të objektit. Tani do ketë kontroll, qytetarët do paguajnë në bazë të hargjimit, ata të cilët i instalojnë këta matës dhe i thërras të gjithë qytetarët e  Prishtinës të cilëve u ofrohet, që t’i hapin dyert dhe të lejojnë instalimin e këtyre matësve për arsye se kjo është e financuar prej MCC-së dhe kur të përfundojë ky grant, atëherë kostoja do jetë deri në 500 euro”- është shprehur Rama.

Prishtina Heat Save kanë bërë të ditur që nga fillimi i procesit se në rast kur banorët nuk janë në shtëpi/banesë gjatë kohës kur ekipet vijnë për vendosje të matësve, atëherë mund të caktojnë termin përmes telefonit kur ekipet janë në lagje.

Derisa, faturimi i ngrohjes me metodën e re në bazë të hargjimeve pritet të nis nga viti i ardhshëm.

Prishtina HeatSave është investim 10 milionë dollarësh nga Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) & Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC), me qëllim të modernizimit të sistemit të matjes së shpenzimeve të ngrohjes përmes Termokos.

Me anë të këtij projekti do instalohen matës në 60 mijë radiatorë tek mbi 17 mijë banesa dhe lokale.

Zbatimi i këtij projekti sipas parashikimeve pritej të zgjaste deri në Shtator 2021 (por, i nisur me vonesë), me mundësi zgjatjeje 1-vjeçare (2022).

Kallxo.com ka tentuar të marr më shumë detaje nga përfaqësues të MCC-së lidhur me kohëzgjatjen e këtij granti dhe numrin e matësve që kanë instaluar deri tani, por deri në publikim të këtij artikulli, nuk është dhënë ndonjë përgjigje.