RTK dhe Grand Media ushtrojnë ankesë për vendimin e Komerciales për kompensimin e 373 mijë eurove

Radio Televizioni Publik i Kosovës dhe N.SH ”Grand Media” kanë ushtruar ankesë në Dhomën e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale ndaj vendimit përmes të cilit është aprovuar pjesërisht kërkesëpadia e N.SH “Grand Media” me pronar Enis Ujkanin, duke e detyruar RTK-në që në emër të dëmit të shkaktuar si pasojë e mos përmbushjes së kontratës, t’ia paguajë të njëjtit shumën prej 373 mijë e 741 euro e 54 centë.

Këtë për Kallxo.com, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Komerciale, Albënora Bekteshi- Hoti.

”Të dy palët kanë ushtruar ankesë, më 8 nëntor paditësi ndërsa më 11 nëntor i padituri”- deklaroi zëdhënësja Hoti.

Shkalla e parë e Gjykatës Komerciale e ka detyruar me vendim RTK-në, që kjo e fundit t’ia paguajë shumën e përgjithshme prej 373 mijë e 741 euro “Grand Media”-s për mospërmbushje të kontratës me këtë të fundit, në gusht të këtij viti.

Shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, me vendimin e 18 gushtit 2023, të publikuar më 3 nëntor 2023, e ka detyruar me vendim RTK-në, që kjo e fundit t’ia paguajë shumën e përgjithshme prej 373 mijë e 741 euro “Grand Media”-s për mospërmbushje të kontratës me këtë të fundit.

Sipas vendimit të gjykatës, kjo pagesë do të bëhet 7 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, pasi palët kanë të drejtën e ankesës në afat prej 7 ditësh në Dhomat e Shkallës së dytë në Gjykatën Komerciale.

Sipas dosjes së kësaj gjykate “Grand Media” e ka paditur në maj të vitit 2014 RTK-në për mospërmbushje të kontratës për transmetimin e emisionit “Kush do të bëhet Milioner” duke kërkuar shumën mbi 1 milion euro.

Rasti është trajtuar nga gjyqtari Hasan Kryeziu, i cili pjesërisht ka aprovuar kërkesë-padinë për kompensim dëmi.

Pas parashtrimit të padisë, “Grand Media” e kishte bërë precizimin e padisë duke kërkuar shumën mbi 3 milionë euro, në mars dhe korrik të vitit 2016.

Për këtë, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur në mars të vitit 2018 që RTK t’i paguante shumën e përgjithshme gati 1,826,878 euro, dhe për këtë ankesë kishte bërë RTK-ja në Apel, ku kjo gjykatë e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkurt të vitit 2020.

Kontrata e lidhur mes tyre nga 15.02.2011 deri më 13.02.2016, për të drejtat e emisionit të lartpërmendur, i padituri (RTK) i’a kishte ndërprerë transmetimin e këtij emisionit pa paralajmërim dhe pa arsyetim – kishte thënë në fjalën përfundimtare përfaqësuesi i paditësit.

Kurse përfaqësuesi i RTK-së, kishte thënë se kërkesa e paditësit ishte e pabazuar dhe shumë nga provat e administruara kanë qenë të papranueshme dhe jorelevante për çështjen.

Në mesin e këtyrë provave të cilat i ka kundërshtuar RTK-ja, kanë qenë disa fatura të cilat sipas të paditurës nuk përmbanin as datën as vulën dhe nënshkrimin e pranimit.

Përveç faturave, e ka kundërshtuar edhe ekspertizën e bërë nga grupi i ekspertëve lidhur me lartësinë e kërkesë-padisë.

Kjo ekspertizë sipas paditësit ka qenë e bazuar në pretendime dhe nuk ka pasur prova konkrete dhe të pranueshme.

Gjykata Komerciale ka vendosur që përveç shumës në emër të kompensimit të dëmit, RTK do të paguajë edhe kamatën ligjore.

Enis Ujkani për Kallxo.com, më 3 nëntor 2023, kishte thënë se këtë vendim të gjykatës e kanë pranuar para dy ditësh, kurse Kallxo është munduar të kontaktojë edhe me përfaqësuesin e RTK-së në këtë rast gjyqësor për të ditur nëse e kanë pranuar këtë vendim dhe a do ta apelojnë, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kishte marrë përgjigje.