Aktakuzë për krime lufte kundër ish-pjesëtarit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë për krime lufte kundër popullatës civile, kundër të pandehurit me inicialet S. F.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri  S. F. në cilësinë e personit zyrtar, si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku me dy zyrtarë tjerë të këtij shërbimi, deri më tani të panjohur për organet e ndjekjes, më datë 10.04.1998, derisa viktima H. Sh, mjek me profesion, po udhëtonte me veturë private nga Drenasi (Gllogoci) për në Prishtinë së bashku edhe me dy persona tjerë, përkatësisht H. S. dhe Sh. H., me të arritur në udhëkryqin e Sllatinës – afër Aeroportit të Prishtinës, ndalohet nga pjesëtarë të uniformuar të Policisë serbe dhe Sigurimit Shtetëror të Serbisë, në mesin e të cilëve ishte edhe i pandehuri S. F.

“Pasi ishin ndaluar, fillimisht ishin legjitimuar nga ana e policisë, pastaj H. Sh., ishte marrë nga i pandehuri S. F. dhe dy të dyshuarit tjerë – të tre të veshur me rroba civile, i njëjti ishte futur në veturën të cilën e drejtonte i pandehuri S. F. dhe ishte dërguar në ndërtesën e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku fillimisht u ishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe nga ajo ditë për fatin e tij nuk dihet asgjë’’ – thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.

Me këto veprime, i pandehuri në bashkëkryerje, ka kryer veprën penale – Krime lufte kundër popullatës civile.