Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Prishtinës do të ndërtojë qendër për trajtim të qenve endacak në Hajvali

Komuna e Prishtinës ka ndarë 249 mijë euro për ndërtimin e një strehimoreje për qentë endacak në fshatin Hajvali.

Kjo strehimore që është planifikuar nga ish-qeverisja e kryetarit Shpend Ahmeti, do shërbejë për trajtim të qenve endacak.

Habib Qorri, udhëheqës i sektorit për shërbime publike në komunë ka bërë të ditur se në këtë qendër qentë do trajtohen në procedurat KSVL (kastro, sterilizo, vaksino dhe lësho).

“Në këtë qendër do të kryhen këto shërbime: qentë merren në teren, trajtohen me metodën KSVL (kastro, sterizilo, vaksino dhe lësho), qëndrojnë në qendër për trajtim post operativ deri në shërim të plotë dhe mandej lëshohen në vendin ku janë marrë”, ka  thënë Qorri.

Tutje, sipas tij, me këtë projekt nuk kemi të bëjmë me strehim të qenve pasi nuk ka kapacitete të tilla.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me strehimin e qenve endacak, por për trajtimin e tyre, për shkak se sipërfaqja nuk ka kapacitet të strehimit, ngase numri i tyre është shumë i madh për strehim. Në qendër do jetë ekipi profesional me mjetet e nevojshme për kapjen e tyre në teren, trajtimin KSVL në Qendër”, shtoi më tej Qorri.

Ai potencoi se për këtë projekt janë planifikuar rreth 20 ari sipërfaqe, objekti është me elementet e nevojshme për trajtimin e qenve endacak, duke përfshirë këtu edhe boksat.

Tutje, Qorri shtoi se ky projekt ka dështuar të realizohet dy herë për shkak të ndryshimeve të mëdha në bursën ndërkombëtare për çmimin e metalit.

“Projekti dy herë ka dështuar të realizohet për shkak të ndryshimeve të mëdha në bursën ndërkombëtare të metalit, pasi që ky objekt është kryesisht nga konstruksionet të metalit. Prandaj është dashur të bëhet analizë e projektit në aspektin e kostos financiare e cila ka vlerën 249 mijë euro, me qëllim që mos të ketë dështim për shkak të çmimeve në bursë”, tha Qorri.

Komuna më herët gjatë këtij viti, ka planifikuar të ndajë parcelë në fshatin Slivovë për një tjetër strehimore për qentë endacak, por lokacioni është kundërshtuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.