Komuna e Prishtinës synon ndërtimin e një strehimoreje për qen endacakë në Hajvali

Habib Qorri, udhëheqës i Sektorit për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, ka thënë se së shpejti kryeqyteti do të bëhet me një qendër të strehimit për qentë endacakë.

Ai ka thënë se lokacioni është caktuar dhe ajo strehimore do të ndërtohet në zonën e Hajvalisë. Sipas tij, është nënshkruar edhe kontrata dhe me përmirësimin e kushteve klimatike do të nisë edhe ndërtimi i saj.

“Komuna e Prishtinës ka filluar para dy viteve me hartimin e projektit, caktimin e një lokacioni që duhet të jetë pronë publike dhe t’i plotësojë kushtet për distancë, edhe atë aspektin ambiental. Dokumenti kryesor për ta filluar këtë projekt është nga Ministria e Mjedisit, pra pëlqimi mjedisor. Në vitin e kaluar kemi pasur stagnimin më të madh në këtë proces, për shkak të pandemisë. Janë caktuar lokacionet, është marrë vendimi i kuvendit, është hartuar projekti”, ka thënë Habib Qorri nga Komuna e Prishtinës në emisionin “Kallxo Pernime”.

 

Ai ka thënë se janë kompletuar të gjitha dokumentacionet dhe lejet e nevojshme.

“Vitin e kaluar, në fillim të pandemisë e kemi bërë kërkesën në Ministrinë e Mjedisit për pëlqimin mjedisor. Pra, janë caktu lokacioni, se çdo dokumentacion e do kohën e vet, në fund të vitit të kaluar e kemi marrë pëlqimin mjedisor, pëlqimin urbanistik e kemi lidhë kontratën edhe pritët brenda pak ditëve, me përmirësimin e motit me fillua puna në ndërtimin e strehimores. Është në zonën kadastrale të Hajvalisë, atje do të ndërtohet”, deklaroi ai.

Në Kosovë nuk ekziston asnjë strehimore për qentë endacakë në pronësi publike ndërsa llogaritën të jenë rreth 15 të tillë në pronësi private.