Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Prishtinës ndau 350 mijë euro për trajtimin e qenve endacakë

Komuna e Prishtinës ka shpallur tender me vlerë 350 mijë euro për trajtimin e qenve endacakë.

detajet e publikuara në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, KRPP, kontrata përfshin shërbime si: Zënia, trajtimi, vaksinimi kundër tërbimit, kastrim/sterilizim, hospitalizim për 72 orë, testim rapid për leshmanjozë, lëshim në vendin e nxënies.

Në kontratë po ashtu parashihet edhe procesi i eutanazisë (mbytje pa dhimbje me anë të injektimit).

Lidhur me këtë proces, Habib Qorri, udhëheqës i sektorit për  shërbime publike në Komunën e Prishtinës për KALLXO.com ka bërë të ditur se procesi i eutanazisë lejohet me ligj për kafshët agresive dhe që paraqesin rrezik nga sëmundje që mund të barten te njerëzit apo kafshët e tjera.

Sipas tij, një proces i tillë është kryer edhe viteve paraprake.

“Në të gjitha kontratat ka qenë e njëjta procedurë (kapja apo zënia, kontrolla me vaksinim, kastrimi/sterilizimi, hospitalizimi dhe lirimi i tyre në vendin ku janë marrë, si dhe eutanazia). Eutanazia lejohet me ligj për kafshët të cilat janë agresive apo paraqesin rrezik nga sëmundje të cilat barten tek njerëzit apo kafshët tjera të shëndosha”, ka thënë Qorri.

Një nga 7 llotet e kontratës për trajtimin e qenve endacak

Sipas tij, për këto procese Komuna vazhdimisht konsultohet edhe më Agjencinë e Veterinarisë dhe organizata që merren me trajtimin e qenve endacakë.

“Komuna e Prishtinës çdo herë është konsultuar se pari me ligjin për udhëzimet administrative për këtë fushë, organet kompetente si AUV-i dhe organizatat të cilat merren me trajtimin e kafshëve e në veçanti qenve endacakë”, shtoi Qorri.

Sipas tij, këtë vit me krijimin e Task Forcës për gjendjen e  jashtëzakonshme me qentë endacakë kanë pasur takime me disa institucione ku është diskutuar edhe për eutanazinë.

“Por këtë vit me rastin e shpalljes emergjente dhe krijimit të TASK FORCËS për trajtimin e qenve endacakë kemi pasur shumë takime me të gjitha institucionet AUV-in, Ministrinë e Bujqësisë, Ministrinë e Pushtetit Lokal, Kabinetin e Kryeministrit, Asociacionin e Komunave, Odën e Veterinerëve, OJQ për Drejtat e Kafshëve dhe ekspertë të kësaj lëmie, ku i kemi diskutuar të gjitha procedurat për trajtimin e këtij problemi, përfshirë këtu edhe eutanazinë”, shtoi tutje ai.

Sipas Qorrit, eutanazia kryhet përmes injektimit, ashtu siç e parasheh ligji.

“Eutanazia kryhet sipas protokollit që e lejon ligji, me injektim”, shtoi Qorri.

Kontrata për këto shërbime është e ndarë në 7 llote dhe përfshin zonën urbane dhe rurale të kryeqytetit.

Sa i përket trajtimit të qenve endacakë, nënkryetari i Komunës, Alban Zogaj, në seancën e Kuvendit Komunal më 28 prill teksa po diskutohej për qentë endacakë, ka thënë në Prishtinë janë 5-10 mijë qen enacakë, duke potencuar se ky problem u ka dalë nga duart.

“Ky problem me qentë endacakë na ka dalë prej duarve. Konsiderohet që në Prishtinë janë 5-10 mijë qen endacakë. Mos të presim për viktimën e parë që më pas të marrim masa”, ka thënë Zogaj.

Ai shtoi se pika kyçe është që të bëhet ndërtimi i strehimores. Zogaj tha se trajtimi i një qeni nëpër fazat: kap, vaksino, kastro, lësho kushton 50-70 euro.

“Një prej pikave kyçe për të trajtuar këtë problem është ndërtimi i strehimores, mos e mendoni këtë si kushedi çfarë objekti i madh, pasi në gjithë botën janë thejsht rrethoja të mëdha. Trajtimi i një qeni në gjithë procesin kap, vaksino, sterilizo, lësho kushton 50-70 euro. Na duhet buxhet i madh deri në gjysmë milion euro”, shtoi Zogaj.

Zogaj tutje shtoi se janë po ashtu në koordinim të vazhdueshëm me Agjencinë e Veterenisë për regjistrimin e qenve endacakë, kjo për të parandaluar që pronarët të mos i lëshojnë qentë në rrugë.

Në muajin prill të këtij viti, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë e ka kthyer të jashtëligjshëm vendimin e Komunës së Prishtinës për caktimin e lokacionit të parcelës për strehimin e kafshëve.

Kjo Ministri ka konstatuar se hyrja e vendimit nuk është bazuar në Ligjin për Planifikimin Hapësinor.

Kthehet i kundërligjshëm vendimi i Komunës së Prishtinës për strehimoren e kafshëve