Prishtina me kontejnerë nëntokësor jofunksional

Problemi i mbeturinave dhekundërmimi i tyre, në Prishtinë, është paraparë të zgjidhet me ndërtimin e kontejnerëve nëntokësor, projekt ky i cili ka filluar të ndërtohet para 6 viteve, por ata ende nuk janë funksional.

Projekti me vlerë 235 mijë euro, ka paraparë që kontejnerët nëntokësor të zëvendësojnë kontejnerët mbitokësor, të ruhet higjiena dhe pastërtia në rrugët e kryeqytetit.

Por ky projekt është pezulluar sepse Komuna e Prishtinës nuk ka arritur t`i siguroj makineri adekuate kompanisë dhe as kompania për pastrim nuk ka poseduar makineri të reja.

“Mungesa e makinerisë adekuate dhe kostoja e lartë e makinerive të reja është arsyeja se pse këta kontejnerë nuk funksionojnë”, ka thënë për KALLXO.com, Habib Qorri, Udhëheqës i Sektorit për Shërbime Publike, në Komunën e Prishtinës.

Sipas Qorrit Komuna ka bërë investim në kamionët e kompanisë së pastrimit KRM Pastrimi, por ata kanë aq të vjetur sa që kanë hasur në defekte të shumta gjatë operimit ku kanë shkaktuar kaos.

“Kontejnerët fillimisht nuk kanë pas makinerinë adekuate për ngritje të platformave dhe zbrazje të tyre. Makineria me të cilin ka poseduar KRM Pastrimi nuk ka qenë adekuate dhe respektivisht nuk janë shfrytëzuar një kohë derisa Komuna e Prishtinës ka bërë investim në adaptimin e kamionëve ekzistues të KRM Pastrimit për kryerjen e shërbimit në këto pika. Mirëpo duke pas parasysh që kamionët me të cilat ka poseduar kanë qenë të vjetër, kanë hasë në defekte të shumta gjatë operimit. Duke marrë parasysh që defektet në kamion kanë shkaktuar vonesa të mëdha, e që në lokacionet ku janë kontejnerët nëntokësor (kryesisht në qendër) një gjë e tillë ka shkaktuar kaos dhe se kostoja për furnizim me makineri (kamion adekuat) të rinj është shumë e lartë, ofrimi i shërbimeve përmes këtyre kontejnerëve është pezulluar”, tha Habib Qorri.

Futja në funksion e kontejnerëve nëntokësor, pas kaq vitesh kërkon riparim dhe mirëmbajtje për kthimin e tyre në gjendjen e rregullt.

“Përndryshe kontejnerët nëntokësorë fillimisht kanë qenë në gjendje të rregullt derisa me kalimin e kohës si çdo makineri edhe ata kanë nevojë për mirëmbajtje pasi që në përbërjen e tyre ata kanë edhe pjesë hidraulike. Që kontejnerët nëntokësor të futen në përdorim përsëri KRM Pastrimi duhet ti blej kamion të veçantë dhe të mirëmbahet konstruksioni i kontejnerëve nëntokësor”, deklaroi Qorri.

Kohen kur ka filluar projekti për ndërtimin e kontejnerëve nëntokësor, Prishtina ka qenë nën udhëheqjen e Isa Mustafës.