Komuna e Junikut e gjashta në Raportin e Performancës të MAPL-së

Ministria e Pushtetit Lokal (MPL) ka publikuar Raportin e Performancës së Komunave për periudhën janar – dhjetor të vitit 2019.

Raporti i performancës komunale prezanton rezultatet e komunave nëpërmjet 19 fushave të kompetencave që janë nën përgjegjësi të tyre.

Objektiv i zhvillimit të sistemit ishte përfshirja e sa më shumë fushave të kompetencave komunale dhe treguesve që synonin së pari të pasqyronin gjendjen reale të ofrimit të shërbimeve publike, dhe së dyti rezultatet e fituara të shërbenin si burime të rëndësishme të të dhënave për përmirësim të qeverisjes në sektorët në nevojë.

Sipas këtij Raporti, komuna e Junikut është renditur e gjashta për nga Performanca, me 72.28%, ndërsa mesatarja e përgjithshme e performancës së komunave është 61.16%.

Performanca e shumë treguesve të shërbimeve matet për kokë banori në komunë, apo për kilometër katrorë të komunës përkatëse.

Shërbimet Publike Administrative

Kjo fuyshë përbëhet nga katër tregues. Fusha përfshinë shërbimet publike administrative dhe efikasitetin e shqyrtimit të kërkesave të qytetarëve, përsonave fizik dhe juridik, nga organet e komunës për çështjet që lidhen me kompetencat e tyre dhe të cilat kalojnë ndërmjet Qendrës për Shërbimin e Qytetarëve në Komunë.

Referuar perfornmancës sipas komunave në këtë fushë, përqindja më e lartë në përmbushjen e treguesve është në Komunën e Rahovecit me 96.50%, kurse më e ulëta në Komunën e Shtërpcës në 29.35%.

Komuna e Junikut në këtë fushë renditet e 22-ta, me 67.13%.

Treguesit e shërbimeve elektronike japin të dhëna për nivel jo të lartë të zhvillimit të procedurave administrative në këtë formë. Megjithatë, vërehet se komunat kanë filluar të aplikojnë platforma për ofrimin e shërbimeve online, një pjesë e të cilave janë të integruara në ueb-faqet zyrtare të tyre, apo përmes e-kiosqeve.

Transparenca Komunale

Edhe pse kjo fushë ka qenë më herët me 16 tregues, në vitin 2019 është ri-strukturuar duke u ndarë në dy pjesë: Transparencë komunale dhe Përgjegjshmëri komunale. Tani kjo fushë ka shtatë tregues që synojnë të arrijnë rezultate në sigurimin e qasjes në të dhëna komunale, pjesëmarrjen në mbledhjet e kuvendeve, rritjes së standardave të informacionit përmes ueb-faqeve, transparencës buxhetore dhe prokurimin publik.

Performanca e përgjithshme e arritur në fushën e transparencës është 72.93%.

Në këtë fushë, Komuna e Junikut renditet e 27-ta, me 57.50%.

Për këtë fushë janë 16 komuna të cilat kanë treguar përformancë në mes 90-100%, prej të cilave Vushtrria, Kaçaniku dhe Gllogoci kanë arritur 100%.

Përgjegjshmëria Komunale

Kjo fushë është inkuadruar si e re dhe ka gjithsej 22 tregues dhe ka një performancë të përgjithshme prej 62.64%. Në kuadër të kësaj fushe vërehet performancë të lartë të komunave në ndërmarrjen e veprimeve ligjore për suspendimin e zyrtarëve për të cilët ka pasur aktakuzë në lidhje me veprat për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas të dhënave, aktakuza për veprime të tilla penale ka pasur për 28 zyrtarë në 9 komuna, prej të cilëve 13 janë raportuar të jenë suspenduar.

Në këtë fushë komuna e Junikut renditet e 22-ta, me 62.38%.

Ndërsa performancën më të lartë në indikatorët e kësaj fushe e ka arritur komuna e Lipjanit, Kaçanikut, Gllogocit, Hanit të Elezit dhe Rahovecit. Ndërsa më ulët qëndrojnë komuna e Mitrovicës Veriore, Shtërpcës, Zubin Potokut dhe Novobërdës.

Barazia në Punësim, Shërbime Sociale dhe Familjare

Kjo fushë prej dy rezultateve dhe katër treguesve mbulon përfaqësimin e grupeve të ndryshme në punësim komunal, si dhe shërbimet sociale të grupeve më me nevojë në komuna. Në kuadër të punësimit treguesit masin nivelin e punësimit të personave me aftësi të veçanta në institucionet komunale, si dhe përqindjen e përfshierjes së komuniteteve joshumicë.

Performanca e përgjithshme në këtë fushë është 57.70%.

Në këtë fushë komuna e Junikut renditet pak më mirë se në fushat e tjera, e 13-ta me rradhë me 64.84%

Sipas të dhënave të deklaruara nga komunat për numrin e të punësuarve në institucionet komunale nga totali prej 37310 të punësuar, 161 janë deklaruar të jenë me nevoja të veçanta, kurse 1757 nga radhët e komuniteteve joshumicë. Përmbushja e kërkesave të banimit social është në shkallën 60.28% dhe ka shumë pak familje që e lëshojnë banimin social.

Kulturë, Rini dhe Sport

Në kuadër të kësaj fushe, sipas MPL-së, maten aktivitetet komunale kulturore, rinore dhe sportive, si një nga kompetencat vetanake të komunave. Fusha mbulon dhe shërbimet e ofruara nga komunat që kanë të bëjnë me kulturën, rininë dhe sportin, përfshirë hapësirat sportive.

Fusha e matë performancës duke e krahasuar me numrin e banorëve për arsye që të jetë me e balancuar ndaj komunave me shumë banorë dhe atyre me më pak banprë. Kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 67.99%.

Komuna e Junikut në këtë fushë renditet dukshëm më mirë se në të tjerat, e 9-ta me rradhë me 96.7%.

Standardi i SMPK-së për së paku një aktivitet të kulturës, rinisë dhe sportit për 100 banorë në komunë arrihet në masën prej 79.2%. Ndërsa hapësirë për aktivitete sportive për numër të banorëve arrihet në masën 68.2%. Sipas të dhënave në 33 komuna janë organizuar rreth 2300 aktivitete kulturore dhe sportive. Pjesëmarrja qytetarë në këto aktivitete krahasuar me numrin e banorëve është 57.37%.

Menaxhimi i fatkeqësive

Kjo fushë matë planifikimin, organizimin dhe udhëheqjen e sistemit të organizuar të komunës për tu përgjigjur ndaj dukurive të shkaktuara nga fuqitë e pakontrolluara dhe nga fuqitë tjera.

Fusha ka vetëm një rezultat dhe dy tregues, që kryesisht vlerësojnë reailizimin e planit për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore, si dhe nivelin e përgjigjeve të institucioneve komunale ndaj rasteve të paraqituera në këtë fushë. Performanca e përgjithshme në këtë fushë është 77.19%.

Komuna e Junikut është renditur e 7-ta në këtë fushë, me 100%, pas komunës së Skenderajt, Rahovecit, Prizrenit, Obliqit, Novobërdës dhe Kamenicës.

Sipas të dhënave, intervenimet e institucioneve komunale ndaj fatkeqësive del të jenë në nivel prej 85.90%. Shprehur në numër, në 33 komuna që kanë raportuar për këtë tregues, nga 12850 fatkeqësi të raportuara ekipet përgjegjëse komunale kanë intervenuar në 12,556 prej tyre.

Tek fusha e Planifikimit Hapësinor, Komuna e Junikut renditet e 23-ta me vetëm 38.49%.

Kjo fushë matë zhvillimin hapësinor komunal nëpërmjet instrumenteve të planifikimit hapësinor, por edhe nivelin e planifikimit të ndërtimeve komunale. Kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 45.24%.

Infrastruktura Rrugore

Kjo fushë matë rrugët komunale dhe infrastrukturën përcjellëse që janë nën kompetencën e komunës. Fusha është plotësuar me tregues të ri për të nxitur përmirësimin e infrastrukturës rrugore me trotuare, ndriçim, shenjëzim si dhe shteg të biçikletave. Performanca e përgjithshme vlerësohet në shkallë prej 46.76%.

Në këtë fushë, Komuna e Junikut është renditur e 13-ta me 60.3%.

Ajo çfarë e bënë performancën e përgjithshme të mos jetë aq e lartë, është përfshirja treguesit i ri për rrugët në zonat urbane me shtigje të biçikletave, që del të jetë në shkallën prej 5.89%, si dhe raporti në mes të rrugëve lokale me trotuare dhe ndriçim publik.

Transporti Publik

Kjo fushë matë ofrimin e transportit publik për qytetarët e komunës. Kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 64.13%.

Sipas të dhënave, Komunat kanë realizuar Planin Komunal për Transport Publik në vlerën prej 66.55%. Krahas kësaj, 11 nga komunat (të vogla dhe të mesme) nuk kanë dokumentuar se kanë hartuar një plan të tillë, në të kundërtën 18 komuna kanë realizuar planin në vlerë prej 100%.

Komuna e Junikut këtu ka treguar një performancë mjaft të mirë, duke u renditur e para me 100%.

Ndërsa tek fusha e parkingjeve publike, komuna që udhëhiqet nga Agron Kuçi i AAK-së, po ashtu është renditur e para, me 92.7%.

Uji i pijshëm

Kjo fushë matë sigurimin apo furnizimin e qytetarëve dhe bizneseve me ujë të pijshëm si dhe realizimin e projekteve komunale për ujë të pijshëm. Kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 73.10%.

Edhe këtu Juniku renditet mjaft mirë, e treta me rradhë, me 100%.

Prej 376550 ekonomive familjare sa janë raportuar nga komunat në nivel të Kosovës, 343619 prej tyre kanë qasje në sistemin e ujit të pijes apo 91.25%. Kurse sa i përket ekonomive biznesore, nga 45462 vetëm 28901 kanë qasje në këtë sistem apo 63.57%.

Kanalizimi

Kjo fushë matë përfshirjen e ekonomive familjare, bizneseve dhe institucioneve në sistemin e kanalizimit si dhe realizimin e projekteve komunale për rrjet të kanalizimit. Po ashtu, ky tregues matë edhe përfshirjen e vendbanimeve të komunës në rrjetin për trajtimin e ujërave të zeza si një nga faktorët mjaft të rëndësishëm në ambient, kushte të jetesës dhe shëndetin publik. Kjo fushë ka një performancë të përgjithshme prej 36.51%.

Komuna e Junikut, sa i përket kanalizimit, përsëri renditet e para, me 50%.

Kurse sa i përket menaxhimit të mbeturinave, Junikut është renditur e 18-ta, me 76.5%.

Përfaqësimi gjinor

Me gjithë progresin e komunave ndër vite në sigurimin e përfaqësimit të barabartë në trupat e kuvendeve dhe në komisionet komunale, të dhënat për treguesit e caktuar minimizojnë përqindjen në këtë fushë duke e bërë atë mjaft të ulët, 38.24%.

Komuna e Agron Kuçit në këtë fushë renditet përsëri e para, me 59.1%.

Sipas të dhënave të raportuara nga 36 komuna, nga totali prej 37,310 e të punësuarve në institucione komunale, 17,660 prej tyre janë gra, apo 80.66% e kriterit ligjor 50×50. Po ashtu, 23 komuna dokumentuan të hartuar planin për barazi gjinore, derisa 13 prej tyre nuk e kanë dëshmuar të hartuar këtë plan.