Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Matja e premtimeve të kryetarit të Junikut për sigurinë publike

Kryetari i Junikut, i cili vjen nga radhët e LDK-së, Ruzhdi Shehu, kur kandidonte për këtë pozitë thoshte se është e obligueshme sipas ligjit që shkollat e  arsimit të mesëm dhe të ulët të kenë të angazhuar psikologë dhe pedagogë.

Në “Debat Përnime”, gjatë fushatës zgjedhore, Shehu kishte premtuar se kur të zgjidhet kryetar i Junikut do të parashtrojë kërkesa për të fituar grante specifike, sipas tij, për financimin e angazhimit të psikologëve nëpër shkollat e komunës.

“Mbi bazën e këtij ligji, legjislacionit ne do të bëjmë parashtresa që të fitojmë grante specifike që të financohet paga dhe mëditjet edhe nga Ministria e Arsimit. Në këtë drejtim do të bëjmë kërkesat dhe të vendoset që të kemi psikologë dhe pedagogë nëpër shkolla, që është në interesim e mbarëvajtjes së arsimit dhe ngritjes së cilësisë në arsim” – kishte thënë Shehu në fushatë.

Rreth një vit pasi është ulur në këtë pozitë, Komuna e Junikut aktualisht nuk ka një psikolog të posaçëm të angazhuar në shkollë.

Pedagogu i shkollës fillore “Edmond Hoxha” e luan edhe rolin e psikologut.

“Në shkollat e komunës së Junikut kemi planifikuar që të kemi 1 psikolog/psikologe . Per arsye sepse numri i nxënësve është në rënie. Për momentin kemi pedagogun e shkollës Sali Kuqi i cili njëherit luan edhe rolin e psikologut” – ka thënë për KALLXO.com kryetari Shehu.

Sipas tij, Komuna shumë shpejt mendon të rekrutojë dy psikologë për dy shkollat e komunës. Shkollën fillore si dhe gjimnazin ‘Kuvendi i Junikut’.

Për premtimin e tij se do të paraqesë kërkesë për grant specifik, Shehu ka thënë se e ka gati projektin.

“Unë si kryetar së bashku me stafin menaxhues kemi planifikuar që t’i ketë dy psikologë në shkolla. Projekti është i gatshëm që përmes shërbimeve të veçanta të punësojë dy psikologë. Mirëpo është edhe planifikimi që ata psikologë të punësohen të rregullt sipas sistemit të rekrutimit” – ka thënë për KALLXO.com Ruzhdi Shehu.

Tutje, Ruzhdi Shehu kishte premtuar se do të bëjë zgjerimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të kamerave të sigurisë në territorin e komunës.

“Sa i përket sigurisë publike, edhe në programin tonë kemi shti zgjerimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të kamerave. Ekzistojnë disa kamera, kemi paraparë mirëmbajtjen dhe zgjerimin e tyre” – kishte premtuar Shehu.

Por, një vit pas, kamerat e sigurisë ende nuk janë vendosur, ndërsa nga Komuna premtojnë se projekti finalizohet tek në vitin e ardhshëm.

“Projekti i zgjerimit të kamerave është i gatshëm dhe ky projekt do të finalizohet në vitin 2023” – ka thënë Shehu.

Por, që nga zgjedhja e Shehut në pozitë e deri më tash, Komuna as tender nuk ka hapur për zgjerimin dhe mirëmbajtjen e kamerave të sigurisë.

Më 4 nëntor 2021, Komuna e Junikut kishte nënshkruar një kontratë për ‘Ndërtimin e rrjetit të ndriçimit publik’, me vlerë të kontratës 26 mijë e 620 euro. Ndërsa më 10 maj 2022, Komuna ka nënshkruar një kontratë tjetër për ‘Mirëmbajtjen e rrjetit të ndriçimit publik’ me vlerë të kontratës 4 mijë e 570 euro.

Një tjetër premtim i Shehut për sigurinë publike ishte edhe rritja e kapaciteteve të zjarrfikësve. Në kohën e fushatës, ai thoshte se që nga viti 2007 në Junik kishte vetëm dy zjarrfikës.

“Rritjen e kapaciteteve te siguria, te zjarrfikësit, nga 2007-ta që është themeluar njësia e zjarrfikësve me vendim të Kuvendit të atëhershëm të Junikut, ne kemi vetëm dy zjarrfikës. Kjo është një neglizhencë e qeverisjes e cila nuk ka insistuar të ngritë kapacitetet në këtë njësi” – kishte thënë Shehu.

Aktualisht, një vit pas zgjedhjes së tij në krye të Komunës, në Junik janë tre zjarrfikës dhe 10 vullnetarë.

Komuna thotë se më 21 nëntor ka bërë kërkesën për rritjen e kapaciteteve të zjarrfikësve.

“Me datë 21 nëntor 2022 kemi deleguar një kërkesë për rritjen e kapacitetit të zjarrfikësve nga tre në gjashtë, sepse komuna e Junikut është e rrethuar nga pyjet, ku kemi edhe djegie të pyjeve, të natyrave të ndryshme dhe është më se e nevojshme që numri i tyre të rritet” – ka thënë Shehu.

Tutje, Pepshi ka thënë se prej që është zgjedhur kryetari në këtë pozitë, në Junik nuk është shënuar asnjë incident që ndërlidhet me ekstremizmin, radikalizmin apo terrorizmin.

Ai thotë se Juniku është një komunë e qetë dhe se qytetarët e kanë një kulturë të lartë tradicionale.

“Komuna e Junikut është një komunë e qetë, qytetarët kanë një kulturë të lartë tradicionale edhe pse në Junik janë 12 fise megjithatë kanë kaluar mbi 100 vite dhe nuk ka pasur vrasje apo probleme tjera” – thotë kryetari Shehu.

“Është mbajtur aktivitetit në shkollën e mesme me temën ‘Stop dhunës në shkolla dhe shoqëri’. Ky projekt është financuar nga Zyra e Presidentes së Kosovës, dhe ka ligjëruar ligjëruesi i artit dhe mendimit pozitiv, z. Daut Demaku. Gjithashtu janë shpërndarë broshura me këtë tematikë” – shton ai.

Qendra për Punë Sociale e Junikut i ka të punësuar dy punëtorë socialë, të cilët u shërbejnë 7 mijë e 100 banorëve rezidentë dhe 6 mijë e 750 banorëve në diasporë. 

Sipas Komunës, këta punëtorë socialë nuk kanë ndjekur ndonjë trajnim për dukurinë e terrorizmit dhe të ekstremizmit pasi që, sipas Komunës, në Junik nuk ka pasur asnjëherë raste të tilla.