Policia e Kosovës

Komuna e Junikut shpreh ngushëllime për çiftin që u gjetën të vdekur në bjeshkët e Junikut

Dy persona janë gjetur të vdekur sot në një shtëpi banimi në bjeshkët e Junikut.

Në lidhje me këtë rast ka reaguar Komuna e Junikut, të cilët kanë shprehur ngushëllime familjes.

“Me dhimbje të thellë e pranuam sot lajmin tragjik për humbjen e parakohshme të Mic Tofaj dhe bashkëshortes së tij Fatlinda Maloku Tofaj. Ngushëllime familjes Tofaj dhe familjes Maloku për humbjen e papritur të më të dashurve të tyre”- thuhet në reagim.

Komuna thotë se çiftin, Juniku do t’i kujtoj përgjithmonë si familje shembullore, mbi të gjitha si persona me virtyte të larta njerëzore por edhe si ndërmarrës të suksesshëm.

“Micin dhe Fatlindën, Juniku do t’i kujtoj përgjithmonë si familje shembullore, mbi të gjitha si persona me virtyte të larta njerëzore por edhe si ndërmarrës të suksesshëm dhe junikas të cilët kanë kontribuar aq shumë për Komunën e Junikut”- janë shprehur nga Komuna.

Nga Policia e Kosovës kanë thënë për KALLXO.com se shkaktari i vdekjes dyshohet të jetë energjia elektrike.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, në lidhje me këtë rast tha se prokurori i Krimeve të rënda ka shkuar në vendin e ngjarjes

“Janë dy trupa të pajetë që janë gjetur në një shtëpi banimi në bjeshkët e Junikut. Prokurori i Krimeve te Rënda është duke shkuar në vend të ngjarjes. Njësitet relevante policore do bëjnë hetim rreth shkakut të vdekjes së tyre”- tha Nikçi për KALLXO.com.

Nikçi ka thënë se dy trupat e pajetë do të dërgohen për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore.