Xhafer Gashi, Jeta në Komunë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Hallet e papunësisë në tokën e qymyrit 

Pasuria nëntokësore me qymyr që e karakterizon zonën e Komunës së Obiliqit si duket  nuk ka sjellur vetëm të mira në Komunën e Obiliqit.

Obiliqasve u ishte premtuar punësim me përparësi në Korporatën Energjetike të Kosovës,si kompensim për ndotjen që u shkakton kjo korporatë.

E që kjo s’po respektohet, e thotë edhe vet kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi, ndonëse vëllain tashmë e ka ushtrues detyre të zëvendësdrejtorit të KEK-ut

Në emisionin Jeta në Komunë, Xhafer Gashi është përballur me gjetjet e ekipit të KALLXO.com për problematikat jo të vogla të njërës prej komunave më të ndotura në Kosovë. Ai u përball edhe me asamblistët.

Jeta në Komunë, Obiliq. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ambienti dhe arsimi ishin një nga temat më të diskutuara në këtë debat.

KRYPOMETRI kishte gjetur se kryetari Gashi nuk kishte mbajtur premtimin për ndërtimin e çerdhes në fshatin Milloshevë.

Sipas tij, çerdhja që ishte menduar të ndërtohet në Obiliq ka ndërruar lokacion, me kërkesë të donatorit.

“Ndërtimi i çerdhes në Milloshevë ka qenë projekt me IPA-në dhe ka ndërruar lokacioni. Ai pritet të fillojë në këtë muaj në fshatin Mazgit. E kemi premtuar ndërtimin e kësaj çerdhe, sepse kemi qenë të përzgjedhur nga IPA. Vonesa ka pasë, por nuk është varUR nga Komuna”, tha Gashi 

Momentalisht, Obiliqi ka vetëm një çerdhe publike që ka kapacitet për 80 fëmijë, por ka edhe dy çerdhe të tjera private që bashkërisht kanë kapacitet për rreth 50 fëmijë.

Raporti i Performancës së Ministrisë së Pushtetit Lokal kishte treguar se fëmijët e fshatrave nuk shkojnë në çerdhe.

Problemet në arsim dhe me rrjetin e kanalizimit

Pëpos ndotjes e çështjeve tjera komunale, Xhafer Gashi u sfidua edhe për problemet në arsim në këtë komunë.

Gashi ka komentuar edhe hulumtimin e KALLXO.com për emërimin e kushërirës së tij, Besa Gashi- Dvorani drejtoreshë e Gjimnazit “17 Shkurti” në Obiliq.

“Konkursi ka qenë i hapur dhe fatmirësisht, kolektivi, prindërit dhe ministria e japin verdiktin rreth përzgjedhjes së drejtorit”, tha Gashi.

Sipas tij, është e palogjikshme që familjarët ta pësojnë për shkak të pozitës së tij në Komunë.

“Pse duhet të pësojë dikush pse është kushërirë e imja, të pësojë në karrierën e saj. Është shumë e pakuptimtë dhe palogjikë”.

Gashi u ballafaqua edhe me mos mbajtjen e premtimit të tij për pajisje me laboratorë të shkollave në Obiliq.

Gashi kishte deklaruar në fushatën e 2017, se të gjitha shkollat do të pajijsen me laborator, por sot asnjë shkollë nuk ka laboratorë.

“Janë në proces të tenderimit dhe shpresoj që brenda 2 muajve të përmbyllet”, tha Gashi.

Në debat u diskutua edhe ‘pasiviteti’ i inspektorëve të Komunës, pasi janë shqiptuar vetëm 4 gjoba për ndotësit e ambientit.

Se është numër i vogël i gjobave u pajtua edhe kryetar Gashi, të cilit fillimisht iu dukën pak 4 gjoba.

“Nuk po e di saktë, por janë diku rreth 40 gjoba. Nuk mund të jenë 4. Mund të jetë gabim. Unë besoj që janë më shumë se 4”, tha Gashi në “Jeta në Komunë”.

Por Zyra për Informim e kësaj komune e kishte konfirmuar se Drejtoria për Ambient kishte shqiptuar vetëm 4 gjoba.

Në debat u diskutua edhe për rrjetin e kanalizimit. 

I gjithë rrjeti i kanalizimit të Obiliqit derdhet në dy lumenjtë, në Llap dhe Sitnicë.

Kryetari Xhafer tha se janë në pritje të një projekti 170 milionësh që do të përfshijë Prishtinën, Fushë Kosovën dhe Obiliqin. Ky projekt është larg realizimit sepse ende është në fazën e studimit të fizibilitetit.

Rreziku nga mihja për qymyr

Mihja e qymyrit nga ana e KEK-ut mund të ketë pasoja në rast të mos vendosjes së shenjave të rrezikut.

Në një pjesë afër fshatit Hade, ku mihja ka shkuar në thellësi të madhe, nuk ka asnjë shenjë që paralajmëron rrezikun.

“Ne në vazhdimësi kemi ngritur shqetësimet e banorëve të Hades, Shipitullës e të asaj zone. Kemi kërkuar në vazhdimësi me ngjitë shenja dhe t’i ndajë fizikisht minierat nga vendbanimet”, tha Gashi.

Komuna e Obiliqit ka nisur procedurat që të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të heq disa fshatra nga Zona e Interesit të veçantë, në mënyrë që familjet nga këto fshatra të kenë të drejtë të ndërtojnë shtëpi të reja.

“Ne e kemi fshatin Dardhishtë, ku me ligj nuk lejohet ndërtimi. E aty ndoshta edhe 100 vjet edhe 1 mijë vjet nuk ndodhë asgjë. Është vendbanim aty. Kemi kërkuar nga KEK që ata në fshat të kenë të drejtë të zhvillojnë jetë normale. Këtë kërkesë e kemi çuar në ministri dhe po presim përgjigje. Ne nuk mundemi me ia ndalu Dardhishtës, Lajthishtës, Grabovcit apo Palajve, zhvillimin familjar, kur aty nuk planifikohet me pasë zhvillime në minier”, u shprehë tutje ai.

Gjatë debatit u diskutua edhe për ndërtimin e sheshit kryesor në Obiliq që ka zgjatur tash e një kohë. Kryetari Xhafer Gashi deklaroi se projekti i sheshit është në përfundim dhe pritet që shumë shpejtë të hapet.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Aziz Bici akuzoi kryetarin Xhafer Gashi se ia ka dhënë tenderin për ndërtimin e sheshit, një mikut të tij.

Aziz Bici, LVV. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Operatori që është duke e ndërtuar sheshin është bukur shok i kryetarit. Bile ia ka dhanë në mënyrë jotransparente edhe gurthyesin. S’po përmendi emra sepse e di kryetari. Pa konkurrencë ia jep tenderët. Madje kualiteti është i dobët. Ma shumë se dy vjet me i dhanë operatorit me kry një punë që zgjat 6 muaj”, tha Azizi Bici gjatë emisionit.

Ndërsa kryetari Gashi ka ftuar organet e hetuesisë që ta hetojnë rastin deri në fund.

“Projekti ka qenë për 24 muaj. Procesi ka shkuar sipas ligjeve. Ndryshe nuk bën me ndodhë. I ftoj organet e drejtësisë dhe hetuesisë me ardhë me hetu këtë punë”, tha kryetari Gashi në lidhje me akuzat e asamblistit Bici.

Në lidhje me përfundimin e sheshit, pyetje kryetarit Gashi, përmes platformës “Zëri i qytetarëve” i kanë dërguar edhe bizneset që operojnë në afërsi të sheshit.

Raporti i Performancës i Ministrisë së Pushtetit Lokal ka treguar se në Obiliq nuk punon asnjë person me nevoja të veçanta, derisa Ligji thotë se të paktën 1 në 50 punëtorë në institucionet lokale duhet të jetë me nevoja të veçanta.

Kryetari Gashi tha se në Obiliq asnjëherë nuk kanë aplikuar persona me nevoja të veçanta në konkurset publike të Komunës.

Përmes emisionit, Gashi u ka bërë thirrje që të aplikojnë në konkurset që shpallen nga Komuna e Obiliqt.

“Ju e dini që Ligji i Punës nuk i ka ndarë në kategori. Ne e kemi për obligim me shpallë konkursin dhe nuk kemi pasur asnjë aplikant. Jam i sigurt, unë nuk e di që kemi pasë kandidat me nevoja të veçanta”, tha Gashi gjatë debatit.

“Unë i inkurajoj që të aplikojnë, madje ju ftoj që të na monitoroni në procesin e rekrutimit”, shtoi ai.

Në zonën e Obiliqit është edhe liqeni toksik, që në shikim të parë duket si një vend i bukur, me ngjyrë të kaltër, por që në fakt është shumë i rrezikshëm për shkak të kimikateve që përmban.

Uji i këtij liqeni toksik kalon edhe në ujërat nëntokësore që pastaj mund të shfrytëzohet për ujë të pijes apo për ujitje.

Gashi deklaroi e kanë ngritur si shqetësim dhe janë duke pritur nga KEK-u që të marrin masa.

“Ne e kemi ngritur si shqetësim punën e liqenit toksik. Ky liqe është në brendësi të KEK-ut dhe kemi kërkuar që ky ujë të trajtohet. Ata kanë ofruar disa versione për ta rikthyer ujin, që të riciklohet në formë të rrethit. Tash mbetet te KEK-u, por ne e kemi shqetësim këtë”, tha Gashi.  

Duke folur për KEK-un, Gashi është ballafaquar edhe pyetjen në lidhje më vëllain e tij, Enver Gashi. Kryetari e ka pranuar se vëllai i tij është emëruar zëvendës-drejtor në KEK.  

Enver Gashi është edhe asamblist në Kuvendin Komunal por edhe ushtrues detyre i zv.drejtorit të  Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Kryetari Gashi është ankuar në KEK-un që s’po e respekton marrëveshjen sipas Ligjit të Obiliqit, ku qytetarët e Obiliqit që janë rezidentë për më shumë se 5 vjet, kanë përparësi në punësim në kushte të barabarta.

Nazmi Gashi, Nisma. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në këtë debat, asamblisti i Nismës Socialdemokrate, Nazmi Gashi ka rrëfyer se si ka aplikuar dy herë për të marrë një kultivator si subvencion nga Komuna, por që nuk ka arritur ta marrë.

E kjo, sipas tij dëshmon që në Obiliq “nuk ka me të njohshëm”.

“Dy herë e kam lypë një kultivator, nuk kam pasë mundësi me marrë. Dmth, nuk është në Komunë me të njohshëm, por është me kritere. Jam pensioner, e kam lyp një kultivator edhe s’mujta me marrë, se kish pasë ma nevojli. Unë prapë do ta lypi, në mujsha me marrë, e marr”, tha asamblisti i Nismës Socialdemokrate, Nazmi Gashi.