Aziz Bici, LVV. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Akuza e LVV-së: Xhafer Gashi ia dha ndërtimin e sheshit shokut të tij

Lëvizja Vetëvendosje në Obiliq e ka akuzuar kryetarin e Komunës Xhafer Gashin se ia ka dhënë ndërtimin e sheshit kompanisë së shokut të tij.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Aziz Bici, në emisionin “Jeta në Komunë” të moderuar nga Jeta Xharra akuzoi kryetarin Xhafer Gashi se ia ka dhënë tenderin për ndërtimin e sheshit të qytetit shokut të tij.

“Operatori që është duke e ndërtuar sheshin është bukur shok i kryetarit. Bile ia ka dhanë në mënyrë jotransparente edhe gurthyesin. S’po përmendi emra sepse e di kryetari. Pa konkurrencë ia jep tenderët. Madje kualiteti është i dobët. Ma shumë se dy vjet me i dhanë operatorit me kry një punë që zgjatë 6 muaj”, tha Azizi Bici gjatë emisionit.

Ndërsa kryetari Gashi ka ftuar organet e hetuesisë që ta hetojnë rastin deri në fund.

“Projekti ka qenë për 24 muaj. Procesi ka shkuar sipas ligjeve. Ndryshe nuk bën me ndodhë. I ftoj organet e drejtësisë dhe hetuesisë me ardhë me hetu këtë punë”, tha kryetari Gashi në lidhje me akuzat e asamblistit Bici.

Të ftuar në studio janë edhe tre asamblistë, dy prej tyre nga opozita, Aziz Bici nga Vetëvendosje dhe Nazmi Gashi nga Nisma Socialdemokrate si dhe nga pozita – kryesuesi i Kuvendit Komunal të Obiliqit, Burim Gërguri.