Foto: Vjosa Rexhepi 20.08.2021

Fillon mbledhja e mbeturinave në Ferizaj, arrihet marrëveshje me dy kompani

Në Ferizaj kanë filluar të mblidhen mbeturinat ndonëse, për shkak të grevës së punëtorëve të KRM “Pastërtia”, kjo kompani më datë 23 tetor njoftoi qytetarët se mbeturinat nuk do të grumbulloheshin.

Kjo grevë po vazhdon akoma dhe për këtë arsye “Pastërtia” ka lidhur marrëveshje me dy kompani tjera që ato të largojnë bërllokun.

Basri Sula, kryeshef i KRM “Pastërtia” tregon se marrëveshja me këto dy kompani do të vazhdojë deri sa të përfundoj greva.

“Kemi ba marrëveshje me dy kompani, ato kanë të drejtën licencës në Ferizaj dhe pas takimit me komunën janë dakordu, për shkak të gjendjes që është me dalë dhe me e mbledhë bërllokun. Është “Ambienti” edhe “Ledi” nëse nuk gaboj. Derisa të përfundoj greva ne duhet me ba një zgjidhje. Marrëveshja na kushton vetëm shpenzimet me faturat e KMDK-së ka me i pagu “Pastërtia”.  Operimi ka me u pagu sipas tarifave të KMDK-së, qysh i paguajmë ne çdo ditë. Aq sa tonë i deponojnë në KMDK, ata ju lëshojnë dokument” -deklaroi Sula për KALLXO.com.

“Ambienti” është ndërmarrje publike lokale në Ferizaj kurse “Ledi” është kompani private.

Komuna e Ferizajt i kishte dhënë një ditë afat “Pastërtia”-s për të bërë zgjidhje që të largohen mbeturinat, në rast se nuk bëhet zgjidhje kjo komunë pati shkruar se do të hap garën për kompani të tjera publike e private që të fitojnë kontratën për grumbullimin dhe largimin e mbeturinave.

Punëtorët e KRM “Pastërtia” kanë hyrë në grevë që nga 23 tetorit kurse më 24 tetor patën edhe protestë.

Ata po kërkojnë pagesën e trusitit pensional, sigurim shëndetësor, pagesën e rrezikshmërisë si dhe të bëhet vendosja e deponisë në fshatin Gërlicë të kësaj komune.

Menaxhmenti i “Pastërta”-s pati deklaruar për KALLXO.com, se Trust-i ka filluar tu paguhet punëtorëve që nga qershori i këtij viti në bazë të një marrëveshjeje me ATK-në kurse për kërkesat e sigurimit shëndetësor dhe pagesën e rrezikshmërisë thanë se nuk kanë telashe ligjore dhe financiare për të përmbushur këto kërkesa.

“Sa i përket kërkesës për vendosjen e deponisë në fshatin Gërlicë, Kryeshefi Sula, pati deklaruar se për këtë çështje vendos Kompania për Menaxhimin e Mbeturinave në Kosovë.