Fillon faza testuese e aplikacionit për zhurmën nga gastronomia në kryeqytet

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se prej sot ka nisur faza testuese e aplikacionit për ndotjen akustike nga fusha e gastronomisë.

Sipas Komunës, secili person ka mundësinë e kyçjes në këtë aplikacion dhe të informohet rreth decibelëve të lejuar në lokalet ku janë instaluar pajisjet deri më tani.

Po ashtu, Komuna thekson se afati i fundit për aplikimin për certifikatën e orarit të punës, dhe nivelin e lejuar të zhurmës për sektorin e gastronomisë është deri më 20 korrik 2023.

“Pas kësaj date do të ndëshkohen të gjitha ato biznese të cilat nuk kanë përfunduar procesin e kryerjes së pagesës të aplikimit”- thuhet në njoftim.

Faza testuese do të zgjasë deri më 1 gusht 2023, dhe pas kësaj date do të nisin ndëshkimet për subjektet të cilat i kanë tejkaluar decibelët apo orarin e punës.

Këtu gjeni linkun për hartën e ndotjes akustike.

Nga muaji mars 2023, Komuna ka hapur thirrjen që lokalet të aplikojnë për t’u pajisur me këto mjete për matje zhurme.

Ky vendim u mor nga Komuna pas ankesave të shumta nga qytetarët për zhurmën nga lokalet e gastronomisë.

Për hartim të rregullores që përcaktoi orarin e punës dhe nivelin e lejuar të decibelëve Komuna mbajti tri diskutime publike me pronarë lokalesh, qytetarë dhe pjesëtarë të policisë.

Orari i punës sipas rregullores

Në këtë rregullore janë të përfishira subjektet afariste si kafenetë, baret, restorantet, klubet e natës, ndërsa orari është i përcaktuar në bazë të zonës urbane, rezidenciale dhe rurale.

Orari i punës në kafene dhe restorante sipas kësaj rregulloreje, duhet të jenë brenda kornizës kohore 07:00- 24:00.

Orari i punës për këto lokale do përcaktohet me periudhën verore dhe dimërore. Periudha verore fillon nga 1 prill deri më 30 shtator, derisa koha dimërore nga 1 tetor deri më 31 mars. Derisa, kryetari me urdhër të veçantë mund të lejojë zgjatjen e orarit për dy orë shtesë gjatë periudhës 15 korrik- 15 gusht dhe 20 dhjetor-10 janar.

Orari në klube të natës rregullohet sipas zonave:

Periudha verore në zonë urbane nga ora 24:00-03:00, përpos të premteve dhe shtunave, nga 24:00-05:00 dhe në zonë industriale dhe rurale nga 24:00-05:00 dhe të premteve e shtunave deri në 08:00.

Derisa, periudha dimërore në zonë urbane fillon nga ora 23:00-02:00, përpos të premteve dhe shtunave nga 24:00-04:00, derisa në zonë rurale dhe industriale nga 24:00-05:00.

Kurse, për hapësira tjera të gastronomisë si hotele, salla të dasmave, pompa benzine, qendra rekreative, periudha dimorëore është me orar 07:00-24:00 dhe ajo verore 06:00-24:00.

Klubet e natës që kanë të drejtë të punojnë pas orës 24:00, sipas kësaj rregulloreje, duhet të paguajnë taksë ndaj komunës me vlerë prej 10,950 euro në vit.

Gastronomia në Prishtinë nis të pajiset me mjete për matje të zhurmës