Keqinformimi që kishte ndikim në mosmiratimin e Projekt-Kodit Civil
Shkruar nga Valbona Bytyqi
“Katastrofë”, “Ligji që pritet të destabilizoj deputetët e Kosovës”, “A do të votojnë deputetët pro ligjit që shumë prej tyre i vë në siklet”, “Gëzim Kelmendi reagon për martesat mes gjinisë së njëjtë: Albin Kurti po i vret shqiptarët me këtë ligj”, janë disa nga titujt e mediave, kryesisht online të cilat kanë përmbledhur reagimet për diskutimet që janë bërë për Projekt-Kodin Civil.
Një video rreth treminutëshe të ndarë nga intervistat live të realizuara në një emision mëngjesi me disa qytetarë në qendër të kryeqytetit, televizioni ATV i ka titulluar me: “Katastrofë”, qytetarët shprehen kundër dhe pro martesave mes personave të gjinive të njëjta në Kosovë.
Titulli i cili nis me “katastrofë” nuk përfaqëson atë që të gjithë qytetarët kanë deklaruar. “Katastrofë” është vetëm një koment i bërë nga një qytetar, nga katër sa janë intervistuar, e që prej tyre vetëm tre kanë dhënë komentet e tyre për atë se çfarë janë pyetur: Çfarë mendoni për martesat mes gjinive të njëjta?.
“Bashkësitë fetare sot do të dalin me qëndrim rreth kodit civil, ku përfshihet edhe martesa mes gjinive të njëjta”, është emërimi që i është vënë lajmit që paralajmëron një konferencë të bashkësive fetare.
Këta përfaqësues nuk janë deklaruar për ndonjë nga nenet e tjera që përmban Projekt-Kodi Civil, por vetëm për njërin nga to, atë që flet për “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta”.
Duke pas parasysh edhe referimit që i bëhet në Projekt-Kod, një keq informim tjetër është edhe ai për “martesat mes gjinive të njëjta”, pasi në nenin 1,138 të Projekt-Kodit për të cilën bashkësitë fetare kanë paralajmëruar se do të deklarohen, nuk flitet për “martesa mes gjinive të njëjta”.
Projekt-Kodi Civil i Kosovës, i cili tash e një kohë endet nëpër sirtar të institucioneve e nëpër duar të përfaqësuesve të tyre, për shqyrtim e diskutim, assesi nuk ka arritur të miratohet.
Njëri nga 1,630 nenet, sa përmban gjithsej ky draft, ka ngjallur debate e diskutime të shumta, qysh nga nisja e hartimit të tij e deri në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, më 16 mars 2022, ku nuk është marrë drita e gjelbër, për miratimin e tij.
Bëhet fjalë për nenin që rregullon martesat, neni 1138 i Projekt-Kodit Civil, specifikisht një pikë e tij, ajo që lejon “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta”.
Mos votimit të Projekt-Kodit Civil në Kuvend, në mars të këtij viti, iu gëzuan organizatat të cilat avokojnë për të drejtat e komuniteteve LGBTIQ+.
Nëpërmjet një reagimi në Facebook, organizata CEL Kosova theksuan se ashtu se si është dërguar për miratim në Kuvend Kodi Civil nuk garanton barazi në të drejtën për martesë.
“I gëzohemi vendimit të kuvendit për të mos kaluar Kodin Civil në gjendjen aktuale për shkak se nuk garanton barazi në të drejtën në martesë. Po ashtu, alternativa e ofruar në formën e partneritetit civil krijon paqartësi dhe nuk ofron zgjidhje për garantimin e të drejtës për jetë familjare të komuniteteve LGBTIQ+”, thuhet në reagimin e CEL, derisa i bëhet thirrje qeverisë që “në versionin e radhës të Kodit Civil të evitojë mangësitë e kodit aktual dhe të mundësojë martesën për të gjithë”.
Huqjet
Ndonëse përveç fjalisë ku thuhet se lejohen “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta” e asaj që e pason atë, e cila specifikon se kushtet dhe procedurat për bashkësi civile do të rregullohen me ligj të veçantë, nuk ka ndonjë tjetër, krejt ndryshe është prezantuar në media, kryesisht ato online.
Lejimi i bashkësisë civile u barazua me martesat, e seksi me gjininë. Kësisoj në vend të informimit të drejtë se Kodi Civil do të rregullonte “bashkësitë e regjistruara civile” pa dhënë ndonjë detaj shtesë miratimi eventual i tij u paraqit si lejim i martesave ndërmjet sekseve të njëjta. Në fakt, në media seksi u ngatërrua me gjininë.
Realisht, në Draft-Kodin Civil mungon sqarimi se çfarë do të thotë lejimi i bashkësisë civile e po ashtu nuk jepen përkufizime për termet seks dhe gjini. Definicionet jashtë tij janë të shumta, por me emërues të përbashkët: bashkësia civile nuk është e njëjtë me martesën.
“Bashkësia civile është një marrëdhënie juridike ndërmjet dy personave, e cila siguron mbrojtje ligjore për çiftin vetëm në nivel shtetëror”, thotë një nga përkufizimet.
Bashkësia civile, thotë një tjetër shpjegim, “është akt solemn me të cilin dy persona shprehin publikisht pëlqimin e tyre të lirë për të jetuar së bashku dhe për të respektuar të drejtat dhe detyrimet që lidhen me këtë gjendje civile”.
Por, sa u përket termeve seks dhe gjini, përkufizimet janë të qarta. Seksi i referohet “karakteristikave të ndryshme biologjike dhe fiziologjike të meshkujve dhe femrave, të tilla si organet riprodhuese, kromozomet, hormonet, etj”, kurse gjinia i referohet “karakteristikave të ndërtuara shoqërore të grave dhe burrave – të tilla si normat, rolet dhe marrëdhëniet e dhe midis grupeve të grave dhe burrave”.
Ndonëse një sqarim i tillë nuk bëhet në Projekt-Kodin Civil në Ligjin për Barazi Gjinore, neni 3 i tij, sqaron përkufizimet për termet e përdorura në ligj.
Sipas pikës 1.7 të këtij neni seksi “nënkupton karakteristikat biologjike dhe fiziologjike të cilat përcaktojnë meshkujt dhe femrat”, kurse pika 1.8 thotë se gjinia “nënkupton role të krijuara shoqërore të cilat i atribuohen femrave dhe meshkujve, që është identitet i fituar që mësohet, pëson ndryshime me kalimin e kohës dhe ndryshon përgjithësisht brenda dhe ndërmjet kulturave”.
Megjithëkëtë dallime të tilla, mediat nuk bënë dallime në mes të termit si “seksi” dhe “gjinia” apo “martesës” dhe “bashkësisë civile”.
Raportimet e bëra nga mediat, mospërdorimi i termeve të duhura, konsiderohet se ka ndikuar që Projekt-Kodi-Civil të mos miratohet.
Arbër Nuhiu, drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Grupit Social (CSGD), thotë se pothuajse të gjitha raportimet “kanë qenë të njëanshme ose nuk kanë raportuar drejtë”.
“Shpesh herë e kam pas përshtypjen që nuk po e kuptojnë paragrafin `problematik`. Ka pas raste kur i gjithë Kodi Civil është konsideruar si ligj për martesat”, tregon Nuhiu.
Sipas tij, shumica e informacioneve që janë plasuar kanë qenë keqinformim dhe kësisoj është keqinterpretua edhe paragrafi që flet për bashkësi civile.
“Mediat më së shumti kanë ndikuar në keqinterpretim. Madje ka pasur media që qëllimisht kanë ngrehur stigmë e paragjykimet për qytetarët LGBTI. Raportimet e tilla bëjnë që të ndikohet në vendimet e deputetëve dhe institucioneve duke kalkuluar në votat e tyre”, thotë ai.
Sa i përket përkufizimit të bashkësisë civile, drejtori i CSGD-së, thotë se e njëjta përcaktohet ndryshe nga secili shtet, andaj, duke pas parasysh se një përcaktim i tillë nuk është bërë nga institucionet në Kosovë, nuk dihet se çfarë parasheh.
“Askush nga ne nuk e din sesi do të jetë ajo bashkësi civile, çfarë të drejtash dhe detyrime do të gëzojnë çiftet e regjistruara si bashkësi civile. Përderisa martesa është e përkufizuar ne draft Kodin Civil, së bashku me të drejtat dhe detyrimet”, thotë Nuhiu, i cili shton se raportimet jo të drejta kanë ndikuar negativisht te komuniteti LGBTI.
“Rreziku më i madh i kësaj forme të raportimit, keqinformimit etj. është mundësia e madhe e ngritjes së rasteve të krimit të urrejtjes ndaj personave LGBTI”.
Sociologia Rita Selimi thotë se keqinformimi lidhur me Kodin Civil “ka përforcuar paragjykimet dhe mendësinë përjashtuese ndaj personave LGBTI”.
“Përdorimi i termave të pasaktë për personat LGBTI e pamundëson përmirësimin e diskursit për grupet e margjinalizuara dhe i shtyn edhe më shumë në përjashtim”, thotë Selimi.
Megjithëkëtë, ajo nuk justifikon votën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës me informatat që janë publikuar në media.
“Mandati i deputetëve është që të përfaqësojnë dinjitetshëm gjithë qytetarët dhe të thirren me theks të veçantë në vlerat si barazia e drejtësia sociale. Në këtë rast, deputetët kanë tradhtuar qytetarin e vet dhe janë bërë pjesë e mendësisë shtypëse”, ka shtuar Selimi.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, të mbajtur më 16 mars kur edhe është shqyrtuar Projekt-Kodi Civil, diskutimet ishin të shumta. Derisa deputetët shpalosën qëndrimet e tyre për/kundër miratimit të tij, qeveritarët arsyetuan ndryshimet e bëra.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë diskutimeve, ua sqaroi deputetëve se me miratimin e Projekt-Kodit Civil nuk rregullohen martesat.
“Kodi Civil nuk e lejon martesën e gjinive të njëjta. Askund në Kod Civil nuk është e lejueshme martesa mes gjinive të njëjta”, ka thënë Konjufca si kundërpërgjigje ndaj deputetëve që deklaruan se janë kundër martesës së gjinive të njëjta. “A e dini dallimin mes martesës dhe bashkësisë civile”, ka shtuar Konjufca.
Arsyetimet e deputetëve të cilët kundërshtuan miratimin e projekt-kodit ishin të ndryshme, derisa fokusoheshin në ruajtjen e traditës, por njëkohësisht duke dhënë cilësime të pa-bazuara dhe fyese.
Me gjithë debatin, në fund projekt-Kodi Civil, nuk arriti të miratohet. Nga 120 deputetë sa numëron gjithsej Kuvendi i Kosovës, vetëm 77 prej tyre ishin të pranishëm në kohën e votimit. Nga ta, 29 votuan kundër, 28 për, katër deputetë abstenuan e 16 të tjerë nuk votuan fare. Kësisoj, ai u kthye në pikën zero, në atë të hartimit në Ministrinë e Drejtësisë.
Nga ky institucion është paralajmëruar ridërgimi i Projekt-Kodit Civil për shqyrtim e miratim, ndonëse nuk është dhënë ndonjë afat kohor. Kurdo që ai paraqitet në Kuvend, sipas Arbër Nuhiut, është i pranueshëm për komunitetin LGBTI, “vetëm nëse martesa në mes të personave të seksit të njëjtë do të rregullohet brenda këtij Kodi me të gjitha të drejtat dhe obligimet, ashtu siç e garanton Kushtetuta e Kosovës”.
Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i verifikimit të fakteve për të luftuar lajmet e rreme dhe dezinformatat në Kosovë”. Programi realizohet nga BIRN me mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Mendimet, gjetjet dhe konkluzionet e paraqitura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish ato të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.