Lajmet e rreme - Foto: REL/Shutterstock

Si ndikuan lajmet e rrejshme në Kosovë që qytetarët të refuzojnë vaksinën e AstraZenecas?

Mbi 133 mijë vaksina nga prodhuesi AstraZaneca janë hequr nga përdorimi në Kosovë për shkak të skadimit të afatit të përdorueshmërisë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dezinformatat kanë ndikuar që këto vaksina të refuzohen nga qytetarët dhe si rrjedhojë t’iu dalë afati.

“Për ne siguria dhe cilësia e vaksinave është parësore prandaj nuk kemi pasur kompromis në këtë drejtim dhe nuk do të kemi. Vaksinat që janë në stoqet tona janë të sigurta dhe për këtë garantojnë mekanizma si OBSH, ECDC, e mbi të gjitha EMA dhe FDA”, kishte deklaruar ministri i shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia.

Por, sa kanë ndikuar në të vërtetë dezinformatat dhe lajmet e rrejshme në refuzimin e vaksinës kundër COVID-19 nga prodhuesi AstraZaneca?

Sipas profesorit universitar Alban Zeneli dezinformatat nga përdorimi i madh i rrjeteve sociale dhe mungesa e një fushate të mirëfilltë nga Ministria e Shëndetësisë janë ato që kanë çuar deri në refuzimin e marrjes së kësaj vaksine.

“Përdorimi enorm i internetit, sipas disa matjeve që unë i kam bërë para pandemisë, gjashtë fish më shumë përdoren rrjetet sociale te ne sesa në Bashkimin Evropian, një ekspozim kaq i madh i rrjeteve sociale nënkupton që ata edhe konsumojnë informacione dezinformuese. Përdorimi i rrjeteve sociale është edhe afektiv që qytetarët mund ta përdorin nën ndikimin e emocioneve si të frikës e pasigurisë për shëndetin e në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë ka bërë një fushatë krejt demode në kanalet e komunikimit që sot nuk janë kanalet kryesore të komunikimit, siç janë rrjetet sociale. Pra, mungesa e fushatës dhe përdorimi i madh i rrjeteve sociale e që ka bërë ekspozimin ndaj informatave jo vetëm në gjuhën shqipe por edhe në gjuhët e tjera e që e kanë targetu edhe popullatën tonë”, ka thënë Zeneli.

Sipas Zenelit, kjo ka bërë që qytetarët të mos i besojnë vaksinës AstraZaneca, por t’i besojnë vaksinës Pfizer.

Po ashtu, sipas Zenelit, edhe përdorimi i figurave të njohura e jo profesionale për thirrjen për vaksinim nga Ministria e Shëndetësisë shkon në favor të dezinformimit.

I të njëjtit mendim është edhe profesori Dren Gërguri. Sipas tij ndikon edhe mungesa e njohurive për përmbajtjen mediale te një pjesë e qytetarëve.

“Marrë parasysh dezinformatat e shumta që kanë qarkulluar për vaksinat, padyshim se edhe ato kanë ndikuar në hezitimin e qytetarëve për t’u vaksinuar. Këtu nuk bën përjashtim as AstraZeneca, që disa herë ka qenë shënjestër e dezinformatave. Mungesa e një strategjie për fushatë rreth vaksinimit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe përballja e qytetarëve me një mori dezinformatash janë dy faktorët kyç”, ka thënë ai.

Edhe infektologu Salih Ahmeti thotë se thashethemet dhe teoritë konspirative kanë bërë që shumë qytetarë të mos zgjedhin vaksinimin me AstraZaneca.

Ahmeti ka thënë se qytetarët duhet të dëgjojnë profesionistët shëndetësorë dhe të besojnë në efektet e vaksinimit nga shembujt praktik të qytetarëve.

“Qytetarët duhet t’i dëgjojnë rekomandimet e profesionistëve shëndetësorë sepse nuk i japim ad-hock, i lus qytetarët që të mos bien pre e thashethemeve nga qarqe të ndryshme që nuk shkojnë në favor të mirëqenies dhe shëndetit të qytetarëve. Ne në Kosovë i përdorim dy vaksina që deri më tash janë vaksinat më të sigurta në nivel global e që përdoren pas aprovimit të agjencioneve të sigurta për përdorimin e tyre. Pfizer dhe AstraZaneca janë të licencuara nga dy institucione shumë kredibile për produkte mjekësore FDA dhe EMA. Janë të sigurta dhe efikase”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka thënë gjithashtu se në kohën kur nuk kanë ekzistuar vaksinat kundër COVID-19, infeksioni te personeli shëndetësorë ka qenë mbi 10 për qind e që si pasojë kanë përfunduar me vdekje shumë mjekë. Sipas tij, pas vaksinimit, nuk ka qenë asnjë vdekje te personeli mjekësorë që ka qenë i vaksinuar.

“Ana e mirë e vaksinës është se mbron dhe parandalon nga infeksionet, por jo me automatizëm. Personat të cilët janë të vaksinuar janë të mbrojtur dhe nëse spitalizohen kalojnë forma më të lehta të sëmundjes. Personat e vaksinuar jo vetëm një imunitet mbrojtës por që krijojnë edhe një siguri psikologjike, janë më të relaksuar dhe nuk e kanë frikën e marrjes së virusit. Vaksina është arma më e fortë në përballje me koronavirusin”, ka përfunduar infektologu Ahmeti.

Mikrobiologu, Lul Raka, thekson se informatat e rrejshme apo infodemia ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në përballjen me pandeminë, sipas tij deklaratat se nuk ka virus, mohimi i virusit, kanë ndikuar në rritjen e infeksionit tek qytetarët.

Në anën tjetër Raka thotë se zbulimi i vaksinave ndikon shumë në parandalim të sëmundjeve.

“Lajmet e rrejshme për vaksinat nuk janë vetëm për vaksinat tash as nuk janë vetëm në Kosovë por ka në krejt botën, është me vite të tëra që e propagandojnë antivaxin, është rrjet rrymë antivaxi. Në parandalimin e sëmundjeve asnjë send në botë nuk ka ndikuar më shumë se vaksina. 20 vitet e fundit, vaksinimi në përgjithësi ka shpëtuar 32 milionë jetë njerëzish, pjesa më e madhe e tyre fëmijë nën 5 vjeç. Nuk ka zbulim më të rëndësishëm për parandalimin e sëmundjeve, se vaksina”, deklaroi Raka në #debatpërnime.

KALLXO.com kishte raportuar se si stafi shëndetësorë në Ferizaj refuzuan të marrin vaksinën AstraZaneca në Kukës që e mundësoi shteti i Shqipërisë në fillim të muajin mars.

Drejtorit i atëhershëm i këtij spitali, Jeton Zeqiri, kishte deklaruar se raportimet në lidhje me vaksinën AstraZaneca bënë që mantelbardhët, por edhe vet drejtori të mos vaksinohet.

“Lista u bo ma herët, mandej filluan shtetet evropiane me heq nga përdorimi ‘AstraZenecën’ edhe ajo ka qenë arsyeja do të thotë që punëtorët shëndetësorë që kanë refuzu, por në momentin që OBSh e dha dritën jeshile që munden (me u vaksinu) lista vetëm pati shkuar” , pati thënë drejtori i spitalit për KALLXO.com.

Në anën tjetër mbi 500 mantelbardhë në nivel vendi u vaksinuan në Kukës të Shqipërisë me po të njëjtën vaksinë.

Më 7 Mars 2021, Austria ka qenë shteti i parë që ndërpreu dhënien e vaksinave AstraZeneca pasi u raportuan mpiksje të gjakut te dy persona që u vaksinuan. Për rreth një javë, të paktën 17 vende evropiane përfshirë Francën, Spanjën, Italinë dhe Gjermaninë ndaluan përdorimin e vaksinës anglo-suedeze.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) bëri shpejt një rishikim të veçantë të lidhjes së mundshme midis vaksinës AstraZeneca dhe mpiksjes së gjakut, dhe më 18 mars të këtij viti lëshoi ​​një deklaratë ku thotë se përfitimet e vaksinës në luftimin e virusit për të parandaluar përhapjen e COVID-19 vazhdojnë të jenë më të mëdha se rreziku i efekteve anësore të saj.

Pas kësaj deklarate, shumica e vendeve evropiane rifilluan shpërndarjen.

Edhe në një periudhë kaq të shkurtër kohore, dezinformatat u përhapën në të gjithë Evropën për të diskredituar sigurinë dhe efektivitetin e vaksinës AstraZeneca, duke u bazuar në titujt shpesh alarmues të botuar nga media të ndryshme.

Ndonëse e fundit në Evropë, Kosova arriti të furnizohet me 24 mijë vaksina ‘AstraZeneca’ donacion nga UNICEF përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Një ditë pas pranimit të ndihmës, Kosova u mobilizua dhe filloi vaksinimin në sallën ‘1 Tetori’ në Prishtinë dhe disa ditë më pas edhe nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare në komuna.

Kosova në anën tjetër përmes një kontrate me kompaninë Pfizer ka arritur të blejë mbi një milion doza.

Deri më sot, në Kosovë janë administruar mbi një milion vaksina, kurse me dy doza të vaksinës janë vaksinuar mbi 500 mijë qytetarë.