KOMF

KOMF: Kosova është vonuar për shtesat e fëmijëve

Koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve ( KOMF KOSOVA) në një përgjigje për Kallxo.com, kanë deklaruar se rekomandimin  për shtesat e fëmijëve kjo organizatë e ka bërë që në vitin 2015, tek Qeveria e Kosovës dhe tek partitë politike.

KOMF mbështet plotësisht shtesat për fëmijë dhe deklaron që ofrimi i shtesave për fëmijë, është dokumentuar në shumë vende të botës si instrumenti më efektiv në zbutjen e varfërisë dhe i cili zbatohet në pothuajse të gjitha shtetet e Evropës Juglindore dhe në ato të Bashkimit Evropian.

KOMF thotë se janë tri argumente se pse duhet të investohet tek fëmijët në Kosovë.

“Argumenti Ekonomik: Përmes investimit në fëmijë do të krijohet fuqi punëtore më e shëndoshë dhe më e kualifikuar, që mund të kontribuojë më shumë në zhvillimin ekonomik, duke përvetësuar teknologjitë dhe shkathtësitë e reja konform nevojave të tregut; Argumenti etik: Investimet në fushën e mbrojtjes së fëmijëve janë të domosdoshme për secilin vend që mbështet të drejtat e njeriut; Argumenti politik: Investimet e pamjaftueshme sociale, pabarazia e theksuar dhe varfëria e lartë, pengojnë zhvillimin e një vendi dhe dëmtojnë kohezionin social të tij’’, shkruan në qëndrimin zyrtar të KOMF.

Ndërsa sa i përket moshës, KOMF thotë se në shumicën e vendeve të rajonit dhe të Evropës, shtetet si kufi kanë vendosur moshën 18 vjeçare.

Dje në Kuvendin e Kosovës, me kërkesën e deputetes  Donika Kadaj-Bujupit, është diskutuar projekt-rezoluta për shtesat e fëmijëve nga mosha 0 deri në 16 vjeç.

Kjo projekt-rezolutë është përkrahur nga partitë pozitare dhe opozitare si dhe nga kryeministri Haradinaj.

Sipas Haradinaj me këtë rezolutë do të përfitojnë rreth 500 mijë fëmijë nga gjithë Kosova.

‘’Kjo projekt-rezolutë parasheh që çdo fëmijë në Republikën e Kosovës prej moshës 0-16 vjeç të gëzojë shtesa, çdo muaj, duke filluar nga 10 euro, pastaj sipas mundësive buxhetore, kjo shumë edhe mund të rritet. Bëhet fjalë përreth 500 mijë fëmijë në tërë Kosovën që do ta gëzojnë këtë të drejtë’’, ka shkruar kryeministri Haradinaj në Facebook.