Kërcënoi punëtorin e burgut të Dubravës, policia i gjeti armë në shtëpi

Një person është arrestuar në Istog, pasi fillimisht kishte kanosur një punonjës të burgut të Dubravës nëpërmjet mesazheve kërcënuese.

Kur policia ia bastisi shtëpinë, të dyshuarit i është gjetur edhe një armë pa leje.

Sipas njoftimit të Policisë në Pejë, me datën 8 mars është pranuar një informacion lidhur me një rast të kanosjes, ku një person i dyshuar kishte adresuar disa mesazhe kërcënuese ndaj një punonjësi në burgun e Dubravës.

Pasi kanë kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit me 13 mars në Istog, i është gjetur një armë e tipit “Zastava”, një karikator, si dhe telefoni i të dyshuarit.

Policia ka arrestuar të dyshuarin mashkull F.S i lindur më 1959 dhe me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 ore, për të vazhduar me procedura të tjera ligjore.