Murat Mehmeti, inspektor tatimor. Foto: Kallxo.com

Kallxuesi Murat Mehmeti Nderohet me Çmimin për Guxim Qytetar

Murat Mehmeti, inspektori tatimor që hetoi dhe bëri publike keqpërdorimet milionëshe nga Administrata Tatimore e Kosovës përkundër presioneve në punë, u nderua si qytetari më i guximshëm për vitin 2016.

Lëvizja FOL, që bën ndarjen e përvitshme të këtij çmimi, e vlerësoi Mehmetin si një qytetar të  ndershëm, të dinjitetshëm dhe guximtar, të denjë për çmimin për këtë vit.

Murat Mehmeti solli rrëfimin e tij për emisionin ‘Jeta në Kosovë’ në një trilogji emisionesh që pasqyruan problemet dhe keqpërdorimet në ATK.

Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL, tregoi arsyet që ndikuan që Murat Mehmetit t’i ndahet ky çmim.

“Është kënaqësi për FOL-in, për mua personalisht dhe për stafin që na vjen mundësia me tentu me i mbështet individët të cilët nuk përpiqen me ndryshu komplet sistemin por të paktën në atë punën ku janë, në zyrën e vogël ku janë, përpiqen me e përmirësu. Kjo ka qenë edhe arsyeja e vendimmarrjes për emrin që e kemi këtu”, tha Zogaj.

Ndërkaq, kallëzuesi Mehmeti bëri thirrje për luftim të korrupsionit edhe në nivele individuale.

“Shfrytëzoj rastin që t’i inkurajoj të gjithë qytetarët dhe zbatuesit e ligjit ose zyrtarët publikë kudo që punojnë që ta ngrenë zërin kundër së keqes, Dikush diçka duhet të sakrifikojë por nuk ndryshojnë gjërat nëse askush nuk kundërshton asgjë”, tha ai.

Ndërsa, anëtarja e bordit të Lëvizjes FOL, Valdete Idrizi, që ndau çmimin, u shpreh e inspiruar nga Mehmeti.

“Unë jam shumë e vogël për të folur për këtë njeri, i cili me të vërtetë unanimisht kemi pasur kënaqësinë t’ia japim këtë çmim për guximin qytetar. Neve si individë apo aktivistë na ke fuqizuar, motivuar, inspiruar për të punuar për një shoqëri më të shëndoshë dhe qeverisje më të mirë”, u shpreh Idrizi.

Çmimi i fundit për guxim qytetar nga Lëvizja FOL i ishte ndarë Shyhrete Berishës, gruas nga Suhareka, e cila përpos që humbi bashkëshortin dhe fëmijët në masakrën e Suharekës, u përball edhe me betejën për të fituar të drejtën mbi shtëpinë, në të cilën kishte jetuar me burrin dhe fëmijët deri në ditën kur këta u vranë nga forcat serbe në mars të vitit 1999.