Zijavere Keqmezi: Punëdhënësi e ka obligative t’i ofrojë trajnime punëmarrësit

Zijavere Keqmezi ,u.d e kryetares së Rrjetit të Gruas në BSPK thotë se tek ligji për sigurinë dhe shëndet në punë, janë të paraqitura në mënyrën më të mirë të mundshme detyrimet e punëdhënësit dhe ato të punëmarrësit.

Keqmezi në emisionin #KallxoPërnime në të cilin po transmetohet debati “Bizneset pa Procedura”, tha se duhet të punohet më shumë në menaxhimin e burimeve njerëzore respektivisht në çështjen e trajnimeve që punëdhënësi t’i ofrojë punëmarrësit.

“Tek ligji për sigurinë dhe shëndet në punë janë të paraqitura në mënyrën më të mirë të mundshme detyrimet e punëdhënësit, detyrimet e punëmarrësit, janë të paraqitura edhe në aspektin shëndetësor aktet juridike, aktet ligjore të brendshme por edhe ato të jashtme të cilat e rregullojnë çështjen e punëtorit si dhe natyrisht edhe sankisionet dhe dispozitat e fundit”- ka deklaruar ajo.

“Neve na duhet të punojmë më shumë në menaxhimin e burimeve njerëzore, trajnimet janë të domosdoshme qysh në momentin kur i jepet një punë një punëtorit ato janë obligative për punëdhënësin  që t’i ofrojë trajnimet e duhura. Së bashku me trajnime natyrisht që edhe pajisjet mbrojtëse për punë” – shtoi Keqmezi.

Ajo theksoi se nëse një punëtor nuk i respekton rregullat, punëdhënësi me patjetër duhet që të ndërmarrë masa disiplinore.

“Nëse flasim tani për dikasterin ndërtimtari, rreziqet janë fizike dhe janë të dukshme ato vizuele që i shohim. Krahas detyrimeve që i ka punëdhënësi, i ka edhe punëmarrësi. Ai duhet t’i respektojë rregullat, si ta bëjmë ne që t’i respektojë rregullat janë aktet rregullore të brendshme. Nëse një punëtor nuk i respekton rregullat, punëdhënësi me patjetër duhet që të ndërmarrë masa disiplinore, të shkojë prej atyre më të lehta e deri më të rënda”- vlerësoi Keqmezi.

Brahim Selimaj, Naim Bajraktari, Zijavere Keqmezi, Kreshnik Gashi po debatojnë për mungesën e investimeve në siguri.

BIRN Kosova të premten publikoi raportin “Menaxhimi i Punëtorëve pa Procedura”.

Raporti i prezantuar nga BIRN trajton çështjet e menaxhimit të punëtorëve nga bizneset, sigurinë dhe shëndetin në punë si dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara.