VIDEO - Rada Trajkoviq flet për Millan Radoiçiqin, thotë se dikush po e mbron

Kryetarja e Partisë së Lëvizjes Evropiane të Serbëve si dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka thënë se dikush po e mbron ish-nënkryetarin e Listës serbe, Millan Radoiçiq.

Politikania serbe në emisionin “Kallxo Përnime”, ka deklaruar se Radojçiqi është bërë i pakapshëm për sistemin gjyqësor e atë të sigurisë në Serbi e edhe në Kosovë.

“Kjo është parë nga një numër aktakuzash, urdhër-kërkimesh, arrestimesh, bastisje të Policisë së Kosovës në hapësira të ndryshme në veri të Kosovës, edhe me arrestimet e personave të caktuar, ku Millan Radojçiqi gjithnjë gjen modalitetin për të dalë (nga burgu), atë edhe në mënyra të paligjshme, është krejt e besueshme që dikush edhe prej brenda sistemit të Kosovës e ka nxjerrë nga aty. Këtu fatkeqësisht në këtë sistem, zyrtarisht e krejt qartë, dikush i ofron mbrojtje. Ky është pra thelbi i dallimit midis asaj që ndodh në Kosovë dhe asaj që ndodh në pjesën e mbetur të Serbisë” – tha Trajkoviq.

Ajo shtoi se është brengosëse fakti që nuk dihet si i janë hequr flet-arrestet Radoiçiqit.

“Pra, dallimi qëndron vetëm tek fakti që në mënyrë jo-transparente, edhe në Prishtinë dhe nga institucionet e Prishtinës,  janë hequr fletë-arrestet (për Millanin), nuk e di askush se pse, ndërsa këtu, në mënyrë shumë provokative, qartësisht, publikisht, gati përkrahur nga të gjithë, lirohet nga burgu me një arsyetim krejt qesharak, që të mos shkojë në Kosovë, e i janë marrë dokumentet. Kjo gjë për të gjithë ne është brengosëse” – thotë Trajkoviq gjatë intervistës.

Sipas saj Radoiçiqi shfaqet në Gjykatë si “intelektual e jo si çfarë është, kriminel”.

“Përmes këtij aksioni, prapë se prapë është krijuar liria për Millan Radojçiqin, që të largohet i pacenuar, si dhe ta shihnit se si u paraqit ai në gjykatë në Beograd, i veshur bukur, me modën më të fundit, me syze, si intelektual, e jo itillë çfarë është: një dhunues i paedukuar e kriminel, që për një kohë të gjatë tashmë është identifikuar nga administrata amerikane si kriminel transnacional, apo si person që ne e perceptojmë të ketë marrë pjesë, fatkeqësisht, në vrasjen e Olliver Ivanoviqit..” – tha mes tjerash Trajkoviq.

Kush është Millan Radoiçiq, lideri “nën hije” i serbëve të Kosovës?