Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nikçi: Kosova ka buxhet modest për pagesa të sigurimit kufitar

Avokati Besnik Nikçi ka deklaruar se joprofesionalzimi në teknikën e sigurimit sidomos në prima të sigurimit është dështim total i Bankës Qendrore të Kosovës.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” potencoi se BQK shpesh luan rolin e avokatit të industrisë së sigurimeve.

“Ajo që më së shumti e konsideroj si dështim total për BQK-në është joprofesionalizmi në teknikën e sigurimit, sidomos në segmentin e primit të sigurimit, ku bëhet ngritje e primit me përqindje të caktuar duke iu referuar një faktori i cili mund të mos jetë kryesori”, tha ai.

“Prej autoritetit i cili e bën mbikqyrjen e sigurimeve deri te ngritja e cila bëhet në bazë të ndikimit të industrisë së sigurimeve që një mënyrë BQK, kohë pas kohe luan rolin e avokatit të tyre”, shtoi Nikçi.

Lidhur me pagesat e sigurimit kufitar Nikçi theksoi se e ka komplikuar situatën si një shtet me buxhet modest.

“Qeveria ka trashëguar populizmin me çështjen e sigurimit kufitar, se si bashkatdhetarët të mos paguajnë prim, e në këtë mënyrë duke e komplikuar deri në atë masë që një shtet me një buxhet modest shkon dhe subvencionon sigurim kufitar”, tha ai.

Ai tha se kjo pagesë për shumë bashkatdhetarë e ka komplikuar situatën pasi e kanë vetëm një mundësi të kontraktimit të sigurimit, dhe shumë prej tyre paraqiten si të pasiguruar.

“Bashkatdhetarët me ato 20 euro që nuk i paguajnë e kanë edhe më të vështirë që me rastin e hyrjes në Kosovë vetëm një moment kanë mundësi të kontraktojnë sigurimin kufitar, ndërsa gjatë qëndrimit më tutje nuk kanë mundësi që sigurimin ta bëjnë online ku paraqiten si persona të pasiguruar, duke e ngarkuar me procedurë të regresit shumë më të komplikaur sesa që është situata”, shtoi tutje Nikçi.

Sipas tij, primi duhet të përcakohet në bazë të analizës, falja e sigurimit do jetë problem për integrime të mëtejshme të Kosovës, sidomos për Kartonin e Gjelbër.

“Dihet si bëhet premia, është neni 8 i përcaktuar në Ligjin për sigurimin e detyrueshëm që në bazë të rezultatit teknik dhe analizës të përcaktohet primi, e jo në bazë të zgjatjes së dorës. Prandaj e trashëguan 50% zbritje, pastaj faljen dhe duhet të reagohet sa më shpejt sepse kjo do jetë problem edhe nesër kur Kosova paraqitet për integrime”, shtoi tutje Nikçi.

Nikçi theksoi se ka shumë zgjidhje më elegante, që fare mos të paguhet sigurimi kufitar. Ai përmendi rastin e propozimit të projektit nga Qeveria Mustafa, i cili kishte mbetur pa u nënshkruar.