Sërish shtyhet seanca ndaj ish-gjyqtarit të akuzuar për krim të organizuar

 

Procedura e gjyqësore ndaj ish-Gjyqtarit Kolë Puka, i akuzuar për krim të Organizuar, po vazhdon të zvarritet.

Edhe sot ka dështuar të mbahet shqyrtimi i dytë gjyqësor kundër të akuzuarit Kolë Puka dhe 6 të akuzuarve të tjerë.

Me fillim të seancës, mbrojtësi i të akuzuarit Kolë Puka, Kadri Bicaj, i caktuar sipas detyrës zyrtare nga Oda e Avokatëve, deklaroi se nuk është pajisur më shkresat e lëndës, dhe çka posedon janë vetëm aktakuza dhe një CD e dorëzuar si provë, por që realisht nuk është funksionale.

Tutje Bicaj shtoi se “Nuk jam i pajisur me procesverbal të seancës së kaluar dhe në atë bazë unë nuk mund të mbetem ne tërësi pas asaj që ka thënë mbrojtësi paraprak”.

I njëjti i propozoi gjykatës që shqyrtimin e sotëm ta shtyjë në mënyrë që të ketë kohë për përgatitje duke kërkuar në të njëjtën kohë procesverbalin dhe pajisjen me të gjitha shkresat e lëndës.

Prokuroria mori përsipër që mbrojtësit të të akuzuarit Kolë Puka, av. Kadri Bicaj, t`i sigurohen të gjitha shkresat e lëndës të fotokopjuara dhe atë deri me datën 19.02.2020.

Prokuroria e akuzon ish-gjyqtarin Kolë Puka, Zef Marlekun, Fatbardh Makollin, Isa Salihin, Lon Palushajn dhe  Besnik Nikçin, si pjesëmarrës të grupit kriminal të strukturuar.

Sipas aktakuzës ky grup objekt sulmi kanë pasur kompanitë e sigurimeve që kanë qenë duke vepruar në Republikën e Kosovës.

Përkatësisht prokuroria pretendon se  këtë grup e ka krijuar Kolë Puka, i cili krijoi marrëveshje me anëtarët e këtij grupi që të imagjinojnë raste gjyqësore, të nxjerrin vendime gjyqësore të kundërligjshme, të falsifikojnë dokumente e të tjera. I njëjti sipas aktakuzës ka lidhur marrëveshje për përfitim të kundërligjshëm me avokat të cilët janë të parët në zingjirin e aktivitetit kriminal pas Kolë Pukës, si: Zef Marleku, dhe Lon Palushaj.

Sipas aktakuzës Zef Marleku i kishte dhënë dhe autorizim Kolë Pukës të këtë qasje në xhirollogarinë e tij bankare, përmes së cilës ka operuar me vlera të mëdha në mënyrë të kundërligjshme. Pastaj ka lidhur marrëveshje me përfaqësuesit e Kompanive të Sigurimeve – Isa Salihaj, Fatbardh Makolli dhe Besnik Nikçi, në mënyrë që gjatë shqyrtimit gjyqësor të pajtohen me propozimet – vendimet e Kolë Pukës.

Më tutje krijon marrëdhënie me mjekët specialist, kryesisht të ortopedisë- si tani të ndjerin Bedri Bakalli.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ky aktivitet kriminal ka zgjatur prej vitit 2004 e gjerë në vitin 2008 e përmes tij kanë përfituar dhe i kanë ndarë mes vete në mënyrë të kundërligjshme vlerën prej 1,225,927.93 euro.

Seanca e radhës 10 mars, në ora 10:00.