Ndërtimet e kontestuara - VIDEO

Emisioni #KallxoPernime po transmeton një hulumtim rreth ndërtimit të një objekti banesor në qytetin e Gjilanit, i cila është bërë “mollë sherri” në mes të Ramadan Latifit që është pronar i tokës e cila u lëshua për ndërtim dhe kompanisë ndërtuese “Nura Group”, e cila është në pronësi të Faruk Nurës, i cili ka qenë zëvendësministër në Ministrinë e Diasporës dhe ishte pjesë e AAK-së.

Ramadan Latifi, pretendon se ishte marrë vesh me kompaninë e Nurës që vetëm njëra nga dy parcelat e tij të ofrohej për ndërtim. Pjesa tjetër do mbetej në pronësi të Ramadanit. Por në fund duke u përdorur një kontratë dhe një aneks kontratë tek noteri, dy parcelat u përdorën për të marrë lejen e ndërtimit dhe sot Latifi nuk mundet me ndërtu në pronën e tij.

“Kemi shkuar unë dhe fqinjët tek noteri kemi qenë 5 apo 6 persona dhe ndërtuesi me ne të gjithë pranë noterit na i printoi kontratat dhe ne i la përpara dhe ne duke llogaritur se gjithçka është ne rregull qysh e kemi marrëveshjen i nënshkruam kontratat. Ndërkohë propozoi noteri lexoni prapë nëse keni ndonjë vërejtje dhe si e kam pa nenin 1 që 1891 metra katror i thash që zotëri Behar gabim këtu sepse unë i kam dhanë 911 metra por nuk e kam dhanë këtë pronën nalt, këtë pohim timin e vërtetoi edhe ndërtuesi tha se kjo pronë është e vërtetë nuk ka hy” – theksoi Latifi.

Latifi me pas ka treguar se çka ndodhi me kontratën e kontestuar dhe pse nuk u anulua ajo pas të dy palët e pohuan se njëra pronë e tij nuk ka hy për ndërtim të përbashkët.

“Çka ndodhi tash noteri nuk e anuloi atë kontratë por e bëri një aneks kontratë tjetër duke e arsyetuar se kjo kontratë ka hy në sistem po e përmirësojmë me aneks kontratë, dhe çka ka ndodh tash ndërtuesi kur ka apliko për leje ka apliku veç me kontratë dhe e ka marr koeficientit e ndërtimit edhe nga parcela nalt” – theksoi Latifi.    

Hulumtuesit e emisionit #KallxoPernime kishin tentuar të marrin një prononcim në zyrën e noterit Behar Idrizi për me pa nëse kjo çka tha Ramadani është e vërtetë, por noteri ishte përgjigjur vetëm me shkrim ai e pranon se në zyrën e tij janë nënshkruar këto dy akte noteriale.  

“Dy aktet noteriale janë hartuar në zyrën time mbi bazën e ligjit për Noterinë dhe ligjeve tjera dhe sipas kërkesës dhe vullnetit të palëve dhe janë të paqëndrueshme dhe të pavërteta deklarimet e z. Latifi. Ju informoj se unë në cilësi të dëshmitarit kam dhënë sqarimet tek organet e drejtësisë lidhur me ketë lëndë dhe se sipas ligjit akti noterial mundet të kontestohet vetëm në procedurë gjyqësore dhe mbështetur në nenin 3 të Ligjit për Noterinë në Kosovë Ligji 06/L-010 . Por dhe unë për deklarata të cilat pala në fjalë i ndryshon dhe i jep si të pavërteta kam të drejtat e mia të ndjekë procedurat ligjore…” – thuhet ne përgjigjen e noterit për emisionin #KallxoPernime.

Mirëpo kompania ndërtuese “Nura Group”, dorëzoi në komunë vetëm kontratën e parë dhe me të mori leje ndërtimi për disa kate shtesë. Aneks kontrata nuk ishte dorëzuar në Komunën e Gjilanit.

“Shkova tek Urbanizimi tek Departamenti i dhënies së lejeve dhe aty një kryesor me tha ti nuk ke të drejtë me pas qasje për këtë pronë, i thash se jam pronar i tokës kam të drejtë dhe po me intereson a e ka dorëzua në aneks kontratë ndërtuesi i hapëm dokumentet dhe askund aneks kontrata nuk ekziston”- theksoi Latifi.

Kur kemi kërkuar prej Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Gjilanit për me na dhënë sqarime se si ndodhi kjo ngjarje dhe se a ekziston aneks kontrata në shkresat e lëndes ata kanë pranuar për emisionin, se aneks kontrata nuk është dorëzuar në komunë.

Edhe pse kontrata dhe aneks kontrata janë nënshkruar për një ditë, në Komunën e Gjilanit kompania ‘Nura Group’ ka dorëzuar vetëm kontratën. Në kemi provuar të marrim një përgjigje edhe nga pronarët e kompanisë ‘Nura grup’që e ka pronar një ish-zëvendësministër Faruk Nurën, por ata na kanë thënë se duhet të flasim me avokaten e tyre Elvira Haziri.

“Me qenë se prokuroria ka kërkuar sqarime edhe nga urbanizimi ata e kanë sqaru situatën sepse unë nuk kam qenë e informuar ne atë kohë dhe jam autorizuar veç me mbrojtë Farukun në procedurë penale po gjithsesi prokurori i ka dhanë arsyetimet e veta edhe ne lidhje me këtë çështje por edhe me çështjet e mashtrimit dhe nuk u vërtetu se kompania “Nura Group” e ka mashtruar Ramadan Latifin”- theksoi avokatja Haziri.

Ajo tha se nuk e di pse kompania që ajo përfaqëson nuk e ka dorëzuar në komunë aneks kontratën por e pranon se gjatë përvojës së saj si avokate nuk ka dy akte siç janë në këtë rast.

Kur kishte kaluar kohë dhe objekti po merrte formë drejtë përfundimit, Ramdana Latifi i drejtohet Komunës së Gjilanit për anulimin e lejes ndërtimore duke pretenduar se është mashtruar nga kompania ndërtuese, por komuna kishte vendosë ne favor të kompanisë.  

Komuna e Gjilanit ne një e-mail për emisionin ka treguar se pse nuk e ka marr parasysh kërkesën e Ramadan Latifit, pasi që kur është aplikuar për marrjen e kushteve të ndërtimit palët kanë pasur të nënshkruar një kontratë për themelimin e bashkëpronësisë dhe bashkimin e parcelave.

“Me datë 10.09.2018, nënshkruhet Kontrata për Themelimin e Bashkëpronësisë dhe Bashkimin e Parcelave, nga Ramadan Latifi, si përfaqësues i autorizuar i pronarëve të parcelës kadastrale të lartcekur me investitorin. Ata janë dakorduar për themelimin e bashkëpronësi dhe bashkimin e parcelave te përshkruara më lartë në një parcelë të vetme, me qëllim të ndërtimit të objektit të banimit kolektiv” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Gjilanit.

Edhe pas kësaj Ramadan Latifi edhe një herë ju kishte drejtuar organeve komunale që të ndalet mbindërtimi i kateve të larta të ndërtesës, por ishte refuzuar përsëri nga Komuna e Gjilanit.

“Me datë 28.07.2021, Ramadan Latifi, kërkon nga Drejtoria e Urbanizmit, që kërkesa për mbindërtim urgjentisht të stopohet, te mos shkoj ne procedure të mëtutjeshme, me pretendimin se ndërtuesi ka falsifikuar dokumentacioni dhe nuk ka prezantuar para  organeve kompetente gjendjen faktike, konkretisht Aneks Kontratën, ndërsa me datë 30.07.2021, kërkon që të revokohet (anulohet) Lejen urbanistike e që sipas ti Anek Kontrat nuk është prezantuar në kohën e aplikimit për Leje Urbanistike (Leje ndërtimore), kërkesë kjo, e cila përsëritet edhe me datë 25.02.2022. Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit (DUPMM),  nxjerr vendimin si të pa pranueshme në pikëpamje të ligjshmërisë, me arsyetimin se, nuk është provuar nga kërkuesi se leja urbanistike është lëshuar nën shtrëngim, zhvatje, shantazh, mashtrim, kanosje, ryshfet apo nën ndikimin e një vepre tjetër penale” – thekson përgjigja e komunës së Gjilanit.

Kur ishte refuzuar nga komuna, Ramadan Latifi kishte ngritur çështjen në Gjykatë. Gjykata e Gjilanit kishte mbajtur disa seanca dhe ne fund kishte vendosur se kërkesa për anulimin e kontratës të ndërtimit është e pas afatshme dhe se Ramadan Latifi nuk mund ta kthente situatën në favor të tij.

Gjykata e Gjilanit ka konfirmuar për emisionin ‘KallxoPernime’ se lënda në fjalë gjendet me ankesën e palëve në Gjykatën e Apelit.

“Në lidhje me kërkesën tuaj për të marr informacion rreth lëndës C.nr. 1044/2021, ju njoftojmë se gjyqtarja e çështjes ka vendosur për këtë lëndë si më poshtë: – Me datë 18.08.2021, ka nxjerrë Aktvendim, duke Aprovuar si të bazuar Masën e Përkohshme; – Me datë 19.01.2022, ka nxjerrë Aktvendim, Shfuqizohet Masa e Përkohshme; – Me datë 06.03.2023, ka nxjerrë Aktgjykim. – Me datë 17.03.2023 palët e pakënaqura kanë ushtruar ankesë këtij Aktgjykimi dhe lënda gjenden për vendosje në Gjykatën e Apelit”- thekson përgjigja e Gjykatës së Gjilanit.

Në terë këtë situatë, Gjykata Civile nuk ka mundur të bëjë asgjë. Ramadani është drejtuar edhe në Prokurori për të sqaruar rastin por edhe atje situata është përfunduar me përgjigje negative.

“Ju njoftojmë se për këtë rast, Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, më 13 Prill 2022 ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve, ndaj personit F.N., ku në lidhje me rastin nga Prokuroria Themelore në Gjilan janë intervistuar personi me inicialet F.N., ankuesi R.L. dhe dëshmitarët A.N., A.B,, B.I., S.R, Sh.U. dhe R.R. Gjithashtu, nga ky departament janë kërkuar ekspertiza nga eksperti i gjeodezisë dhe eksperti i ndërtimtarisë dhe më datat 16 dhe 28 dhjetor 2022 janë pranuar këto ekspertiza, ku pas zhvillimit të hetimeve dhe analizimit të të gjitha provave materiale, më 29 Dhjetor 2022 janë pushuar hetimet ndaj personit F.N., pasi nuk ka ekzistuar dyshimi se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Mashtrimi’’ apo ndonjë vepër tjetër penale”- thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Gjilanit”- thekson përgjigja e Prokurorisë per emisionin ‘KallxoPernime’.

Prokuroria e Gjilanit, përkatësisht prokurorja e shtetit Rozelida Manastiri, ka zhvilluar hetime edhe ndaj zyrtarëve komunal por edhe këtë rast e kishte mbyllur. Sipas shkresës së prokurorisë për emisionin KallxoPernime thuhet se nuk ka pasur elemente të veprës penale as këtu.

“Ndërsa, nga Departamenti për Krime të Rënda, më 25 Janar 2023, janë autorizuar Policia e Kosovës, që të ndërmarrin veprime hetimore ndaj zyrtarëve të Drejtorisë së Urbanizmit, lidhur me pretendimet e ankuesit R.L. Lidhur me këtë, më 22 Mars 2023, nga Policia e Kosovës është dorëzuar raporti i veçantë me të gjeturat, si deklarata e ankuesit, deklaratat e dëshmitarëve Sh.U., B.I., N.S., deklarata e personit F.N, A.B., përgjigja në kërkesë nga Drejtoria për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, kontratat, procesverbali i terrenit, kërkesa për leje ndërtimore, çertifikata për njësinë kadastrale, kopja e planit, vendimi per leje ndërtimin, leja mjedisore komunale, pëlqimi nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent, pëlqimi për rregullimin e dokumentacionit teknit nga KEDS, pëlqimi parimor nga Ecohigjiena, deklarata nën betim, si dhe dokumente tjera.

Departamenti për Krime të Rënda, pas analizimit të provave më datë 13 Qershor 2023 e ka mbyllur këtë rast, pasi është vërtetuar që në veprimet e zyrtarëve komunal nuk ka ekzistuar dyshimi se të njëjtit janë përfshirë në ndonjë vepër penale”-thuhet ne përgjigjen e prokurorisë.

 Ndërsa rastit tjetër i hapur në prokurori ka qenë edhe rasti që ka të bëj me pretendimet e Ramadan Latifit se u kërcënua me jetë nga Faruk Nura,  pasi që Latifi kishte kërkuar që të anulohet kontrata e ndërtimit të objektit banesor.

“I kam çu dëshmitë për mashtrim për falsifikim për kërcenim as su bë send për kërcenim me jetë me ka kërcënuar pronari i firmës Faruk Nura”- tha Latifi.

“E ka paraqit edhe këtë rast  është marr ne pyetje Faruku ne cilësinë e të pandehurit por edhe ne atë lëndë janë pushu hetimet se s’ka pas prova se i njëjti e ka kërcënuar Ramadan Latifin”- theksoi Haziri.

Rasti i Gjilanit, është edhe një dëshmi tjetër se sa problematike bëhen çështjet pronësore në Kosovë. Në këtë rast dy palët pranojnë që për njërën pronë nuk ka pasur marrëveshje ndërsa banesa është ndërtuar. Përgjigja e këtij problemi pritet të vie nga Gjykata e Apelit.