Njesia Speciale, Ilustim, FOTO: KALLXO.com

Ministri Krasniqi: Po të mos ishte Njësia Speciale në veri, situata e Banjskës do të ishte krejt tjetër

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka folur edhe për prezencën e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri të vendit, përkatësisht në Banjskë të Zveçanit.

Ai ka thënë se i kupton ata që mund ta quajnë “presion” prezencën e tyre në atë pjesë, por ka shtuar se pret mirëkuptim sepse sipas tij bëhet një vlerësim i situatës së sigurisë.

“Rasti i 24 shtatorit (sulmi në Banjskë), do të ishte krejt ndryshe po të mos ishte Njësia Speciale atje, sikur këto nësi do të duhet të udhëtonin nga Prishtina apo nga ndonjë pjesë tjetër për në veri të vendit, jam shumë i bindur që situata në këtë moment do të ishte ndryshe”, tha Krasniqi për “Kallxo Përnime”.

Ai ka shtuar se Policia e Kosovës sillet në mënyrë demokratike dhe korrekte me të gjithë qytetarët pa dallim.

“Jam i bindur që secili formular që i jepet qytetarëve nga Policia e Kosovës është në dy gjuhë pra në shqip dhe serbisht. Mund të ketë situata ku ndonjë polic të mos dijë të flas serbisht por formularët që dorëzohen nga secili institucion i Republikës së Kosovës është në dy gjuhët”, shtoi Krasniqi.

Ndryshe ish-ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” kishte thënë se ‘Njësia Speciale e Policisë së Kosovës po i terrorizon qytetarët në veri të vendit.

https://kallxo.com/kallxopernime/ish-ministri-serb-pretendon-se-njesia-speciale-e-policise-se-kosoves-po-terrorizon-popullin-serb-ne-veri/