Goran Bogdanoviq

Ish ministri serb pretendon se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës po terrorizon popullin serb në veri

“Askush nuk po e përmend njësinë speciale që po bën terror ndaj serbëve në veri të Kosovës!”, ka deklaruar ish ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, në emisionin #KallxoPërnime.

Bogdanoviq, pretendon se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës po frikëson serbët e veriut njëjtë ‘siç ka bërë policia e Millosheviqit’.

“Ju po kërkoni nga unë apo cilido tjetër por si, si? Ju nuk keni qenë në situatë të tillë. Mua më kujtohet në vitet e nëntëdhjeta kur kam punuar në Drenicë, në Skënderaj, dhe e di se çka ju ka bërë policia e atëhershme e Milosheviqit shqiptarëve. Edhe ata atëherë janë dridhur nga frika siç po dridhemi ne tani nga frika se do të ndalohemi nga njësia speciale e Kosovës. E ju tani po kërkoni që t’i incizojmë, t’i fotografojmë, mosni ju lutem!”, ka thënë Bogdanoviq.

Ndërsa ka thënë se Njësia Speciale ia kishin ndaluar bashkëshorten dhe ia kishin kontrolluar veturën.

“Po ju them se ata nuk e kanë keqtrajtuar atë, por mjafton të ndalohesh nga policë me armë të gjata, të ju largojnë nga vetura dhe ta kontrollojnë veturën, ata nuk e kanë keqtrajtuar. Sërish po ju them, ka edhe shqiptarë të ndershëm në policinë e Kosovës, disa i njoh personalisht që sillen shkëlqyeshëm, profesionalisht, por e keni posaçërisht popullatën më të re e cila nuk e di gjuhën serbe dhe më ndalon dhe nuk e di se çka po u them”, tha ai.