Mali i Zi nuk i ndjek të dyshuarit për krime lufte në rajon

Vukas Radonjiq, prokuror special për krim të organizuar, korrupsion dhe krime lufte, ka thënë se problemi me Malin e Zi qëndron pasi ky shtet nuk ka qenë i përfshirë direkt në luftë dhe nuk i kupton këto krime.

Ai në konferencën e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) me temën “Arkivat dhe parandalimi i konflikteve: Mësime nga e kaluara, vizione për të ardhmen”, tha se gjykimi i parë për krime lufte të procesuara në Mal të Zi nisi më 2014 për 5 persona, por kemi edhe raste të deportimit.

“Ajo që e shoh unë që Prokuroria Speciale Shtetërore, si prokurori që vërtet e ka nën kompetencë ndjekjen penale për kryerjen e krimeve të luftës, që e shohim si problem i cili ka çuar deri tek ato aktgjykime liruese të plotfuqishme është qëndrimi i gjykatave penale, të cilat kanë konsideruar se nuk janë shkelur dispozitat e së drejtës humanitare ndërkombëtare, sepse Mali i Zi thjesht nuk ka qenë në luftë me ndonjë shtet tjetër por që kjo ishte një luftë qytetare, kjo krejt nga një këndvështrim që ka çuar në atë se të gjitha ato veprime eventuale që janë kryer ndaj viktimave nuk ndërlidhen me luftën dhe si të tilla nuk konsiderohen si krime lufte” – tha Radonjiq.

Ai shtoi se aktgjykimi i parë, kualifikimin e parë juridik nga ana gjykatës së shkallës së parë e ka pasur se vrasja ka ndodhur si pasojë e dëshirës për përfitim.

“….që nuk ka lidhje me krimin e luftës deri në momentin kur Gjykata Supreme e Malit  të Zi e mori qëndrimin se kjo nuk është vrasje nga dëshira për përfitim por është krim i luftës sepse është kryer i ndërlidhur me luftën pa marrë parasysh se është kryer në territorin ku nuk ka pasur veprime luftarake” – tha tutje ai.

Ndryshe në vitin 2017 Mali i Zi kishte ekstraduar një të dyshuar për krime lufte në Kosovë me kërkesë të kësaj të fundit.

Skender Bislimi, ish-pjesëtar i dyshuar i forcave paraushtarake të akuzuara për krime lufte gjatë dëbimit të banorëve të Fushë-Kosovës ishte dënuar me 10 vjet burg.

https://kallxo.com/shkurt/akuzuar-per-krime-lufte-skender-bislimi-del-para-gjykates/