Krasniqi: Ish-kryetarët serbë të komunave në veri nuk guxonin të takoheshin me ministrat e Qeverisë së Kosovës

“Kryetarët serbë që ishin në komunat e veriut nuk kanë guxuar të takoheshin me ministra sepse thonin se kishin presion nga Beogradi”, deklaroi ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”.

Ai shtoi se ka tentuar në vazhdimësi që të takohet edhe me banorët, por edhe me krerët e komunave por që një gjë e tillë, sipas tij ka qenë e pamundur.

“Sa herë kam kërkuar që të dalë në terren me kryetarët serb që ishin atëherë, dhe të kuptoj nga afër problemet e qytetarëve të asaj pjese, kjo ka qenë e pamundur. Kryetarët kanë thënë që mund të vijnë në Prishtinë mirëpo në komunë nuk mund të të presim për shkak të presionit”, tha ai.

Ai ka thënë gjithashtu që në vitin 2021 kur kanë pasur memorandume, ka planifikuar që ato t’I nënshkruaj nëpër objektet e komunave.

“Unë kam dëshiruar që projektet e memorandumet e bashkëpunimit t’i nënshkruaj nëpër komuna së bashku me kryetarët serbë, por ata gjithmonë kanë preferuar që të vijnë në ministri, dhe kanë treguar për presionin e hapur që e kanë prej Beogradit”, tha Ministri Krasniqi.