Eksperti: Në Pejë për një orë pati të reshura sa për një muaj

Lavdim Osmanaj, inxhinier i hidroteknikës në Fakultetin e Ndërtimtarisë në UP, duke folur për vërshimet e fundit në Pejë, ka thënë se duhet të bëhet një analizë për sasinë e reshjeve dhe se çka e solli gjithë atë ujë që shkaktoi vërshime, të cilat rezultuan me dy qytetarë të vdekur dhe dëme të mëdha infrastrukturore.

Sipas tij, një prurje e tillë e ujit ka mundur të ndodhë para 70 vjetëve.

“Ka qenë 54.6mm lartësia e reshjeve. Nuk mund të ndërtosh afër kanaleve. Duhet të bëhet modelimi dhe në bazë të saj ndërtohet, por te ne në Kosovë nuk ka të tillë. Nuk ka modelim që parashikon përmbytjet (për çdo kanal). Si dhe rregull në bazë të ligjeve të urbanizmit është që s’mund të ndërtosh 1.5 metra minimum (rreth kanaleve dhe pellgjeve ujore)” – ka thënë Osmanaj në emisionin “Kallxo Përnime”.

Osmanaj thotë se Kosova duhet të bëjë një analizë se çfarë madhësie duhet të ndërtohet një kanal varësisht prej rrezikut nga sasia e reshjeve që mund të ketë një vendbanim i caktuar dhe këtë analizë mund ta bëjë Fakulteti i Ndërtimtarisë.

Kur u pyet eksperti i hidros se cilat komuna i kanë kërkuar Fakultetit të Ndërtimtarisë një analizë të tillë ai tha se asnjë komunë nuk i ka thirrur për ta bërë këtë analizë. “Ka shumë njerëz në Fakultetin tonë që mund t’i këshillojnë institucionet qysh me u mbrojtë nga vërshimet” – ka thënë ai.

Ai ka shtuar se vërshimet urbane janë më problematike sesa vërshimet kur lumenjtë dalin nga shtrati.

“Ky është vërshim urban, kjo mund të ndodhë në krejt qytetet, edhe në ato më të vjetra siç janë Vjena, Milano etj., e kanë problemin e njëjtë si të Pejës. Edhe tash në Itali kanë qenë këto probleme, e vërshimet urbane vijnë nga ndryshimet klimatike që po ndodhin. Reshjet që kanë ndodhur këtu (janë të sasisë së tillë që) është dashur të ndodhin për një muaj të tërë por kanë ndodhur për 1 orë e 9 minuta, këto d.m.th. janë (si pasojë e) ndryshimeve klimatike” – ka shpjeguar më tej ai.

Si pasojë e vërshimeve në komunën e Pejës para një jave nënë e bir humbën jetën përderisa mbetën të lënduar edhe disa persona të tjerë.

Shumë shtëpi kanë mbetur të pabanuara ndërsa edhe infrastruktura rrugore është dëmtuar.