Goxhaj: Organizatat që përfaqësojnë komunitetin LGBTI+, janë shkelëset më të mëdha të të drejtave të tyre

Njëri nga elementet kryesore të grupeve të djathta është urrejtja dhe mos durimi ndaj pjestarëve të komuniteti LGBTIQ+.

Shqipëria është në mesin e vendeve ku dhuna dhe mosdurimi ndaj këtij komuniteti është e fokusuar në gjuhë të urrejtjes, kryesisht përmes rrjeteve sociale.

Avokati Altin Goxhaj është një nga njerëzit më aktiv, për sa i përket shoqërisë civile në Shqipëri, por së fundi është angazhuar edhe ndaj asaj që quhet Koalicioni Pro-Mbrojtjes së Familjes.

Goxhaj ka shtuar se është shumë aktiv edhe në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBTIQ+.

Ai në një intervistë për “Kallxo Përnime”, ka thënë se organizatat që përfaqësojnë komunitetin LGBTIQ+, janë ato që po shkelin nga të gjithë të drejtat e tyre.

“Ata kanë krijuar një agjendë të përballjes publike me opinionin publik për t`i ekspozuar të gjithë personat e komunitetit LGBT sikur janë luftëtarë të kauzave të mëdha, që kanë të bëjnë me agjendat e tyre, që është agjenda LGBT”, tha ai.

Sipas tij një person me orientim seksual të vetin është i detyruar të ekspozohet para publikut, për shkak se siç thotë ai, disa individë që drejtojnë disa organizata kanë nevojë që të marrin fonde, kanë nevojë që të ushqehen dhe për këtë arsye ata ekspozojnë gjithë komunitetin përballë tjerëve duke kërkuar disa gjëra, të cilat janë të pakërkueshme.

“Siç është psh zëvendësimi i prindërve në dokumentat zyrtar, që është prindi 1, prindi 2, babi dhe mami, apo siç janë psh. fakti që kërkojnë të futen në agjendat e edukimit të fëmijëve nën 18 vjeç, kujtojmë që sipas të drejtave të fëmijëve, fëmijë quhesh deri në 18 vjeç, pra në shkollat nëntë vjeçare dhe shkollat e mesme”, tha tutje ai.