Foto: Leicester Mercury/BPM MEDIA

Gjykatësi britanik urdhëron ekstremistin e djathtë të lexojë literaturë klasike ose të përballet me burg

Një gjykatës britanik ka urdhëruar ekstremistin e djathtë Ben John, të lexojë literaturë klasike ose të përballet me burg, raporton The Guardian.

21-vjeçari Behn John, ka qenë student i universitetit “De Montfort” në Leicester. Ai për disa vite radhazi shkarkoi gati 70 mijë dokumente të supremacisë së bardhë dhe udhëzime për përgatitjen e bombave.

Sipas gjyqtarit Timothy Spencer, Ben John duhet të kthehet në gjykatë çdo katër muaj për t’u testuar në leximin e tij.

Përpos dënimit për leximin e literaturës së Dickens, Austen, Shekspiri dhe Çarti, John u dënua me dy vjet burg me kusht plus dy vjet të tjera me licencë.

Madje atij iu dha një urdhër pesëvjeçar për parandalimin e krimit të rëndë.

John më 11 gusht, u dënua nga një juri të cilët kishin informacione se ai mund të jetë i gatshëm për përgatitjen e një akti terrori, gjë që merr dënim me një burgim maksimal prej 15 vjetësh.

Mirëpo, gjykatësi Spencer arriti në përfundimin se gjithçka që John bëri ka të ngjarë të ishte “një akt marrëzie adoleshente” dhe një incident i izoluar.

Dyshimet se John mund të jetë i rrezikshëm dhe se ka tendencë që të kryej krime të rënda filluan në vitin 2018 kur ai kishte shkruar një letër të titulluar “Fronti i Përjetshëm”, e që ishte letër kundër homoseksualëve, emigrantëve dhe liberalëve. Kjo bëri që ai të jetë në vëmendjen e oficerëve të antiterrorizmit.

Pastaj ai në prill të vitin 2019 kopjoi më shumë se 9 mijë dokumente të djathta dhe të lidhura me terrorin në hard diskun e kompjuterit të tij, duke shtuar 2 mijë e 600 të tjerë disa muaj më vonë në gusht të po të njëjtit vit.

Kështu, në janar të vitit 2020 ai u arrestua dhe më vonë u akuzua për vepra penale sipas Aktit të Terrorizmit, përfshirë posedimin e dokumenteve për luftë, armë të përgatitura në shtëpi dhe eksplozivë.

Policia e Lincolnshire ka thënë se John është bërë pjesë e krahut ekstrem të djathtë online – një term për aktivistët që kryejnë aktivitete kriminale të motivuara politikisht ose kulturalisht, siç është racizmi ose nacionalizmi ekstrem.