A ka në burgjet e Kosovës të dënuar për pjesëmarrje në grupe të ekstremit të djathtë?

Besar Gashi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës ka folur në emisionin “Kallxo Përnime” për identifikimin e formave të reja të ekstremizmit, përshirë edhe ekstremin e djathtë.

Gashi ka thënë se për momentin si SHKK nuk kanë informacione nëse ka njerëz në burgjet e Kosovës që janë të akuzuar apo dënuar pse kanë qenë pjesë e grupeve të ekstremit të djathtë.

Ai ka folur edhe për trajnimet se si duhet të identifikohen këto forma të reja të ekstremizmit.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës është përfitues i disa trajnimeve prej partnerëve strategjikë dhe janë staf i trajnuar që punojnë me këtë kategori të të burgosurve dhe kryesisht për identifikimin e radikalizmit dhe ekstremit të djathtë apo e majta ekstreme” – ka thënë Gashi.

Ndërsa, udhëheqësi i Zyrës Ligjore në BIRN, Labinot Leposhtica, ka thënë se Kosova ende nuk ka kapacitetet e duhura për identifikimin e këtyre formave të ekstremizmit.

“Këto forma evoluojnë goxha shpejt, marrin prej një forme në formën tjetër dhe në këtë formë bëhen vështirë të identifikueshme për organet e ndjekjes” – ka thënë ai.

Leposhtica ka përmendur një prej rasteve që plotëson kriteret e ekstremit të djathtë që është rasti i njohur si “Syri i popullit”.

“Një prej rasteve që plotëson kriteret me u trajtu  te format e ekstremit të djathtë është “Syri i popullit”, si një rast në të cilin qartazi për motive politike duke i etiketuar të tjerët tradhtarë, po ashtu ka motive religjioze, një grup i caktuar me një strukturë të caktuar. Një rast i tillë si “Syri i popullit”, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, konsideroj që asnjëherë nuk iu ka dhënë pesha dhe vëmendja e duhur rasteve të tilla” – ka thënë Leposhtica.

Ndërsa, lidhur me ketë Gashi nga SHKK ka thënë se edhe mund të ketë të akuzuar për këtë lloj ekstremizmi por brenda SHKK-së nuk ka të identifikuar.

“Që kanë qenë ndoshta edhe mund të ketë, unë thash që nuk kemi identifikuar ende që kemi brenda institucioneve korrektuese” – ka thënë Gashi.

Ndërsa, përgjegjësi në Departamentin Special në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Valon Kurtaj, ka thënë se aktualisht nuk ka raste të iniciuara për këto lloje të ekstremit.

“Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin Special, nuk kemi ndonjë rast të iniciuar mbi bazën e ekstremit qoftë të djathtë apo të majtë” – ka thënë ai.