Mesazhe të fashizmit në grupe të tifozëve në Tiranë

Mesazhe të ekstremit të djathtë në përkrahje të nazizmit dhe fashizmit janë parë në grupet e tifozëve, të cilët veprojnë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.

Në Tiranë veprojnë dy grupe të tifozëve, Partizani dhe ‘Tirana’.

‘Tirana Ultras Club’, është parë duke përdorur mesazhe naziste në stadium.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, u fol për rrezikun nga ekstremizmi, ku ekipi i KALLXO.com ka realizuar një intervistë me dy tifozë të cilët ishin pjesë e shkrimeve me mesazhe naziste.

Ata kanë portretizuar vetën si ish komunist por kanë mohuar çdo lidhje me grupet pro-fashiste.

“Jo, nuk jemi, kjo ndoshta është inicuar nga disa banderola ose koreografi që ne kemi shpalosur që kanë qenë gjithmonë me tematikë anti-komuniste. Ne jemi anti-komunista, anti atij sistemi që na persekutoi aq shumë si komunitet, si qytet, edhe si ekip futbolli, në qoftë se kjo ne na bën nazista, nuk e di po ne nuk kemi bindje të ekstremit të djathtë, sepse nuk kemi asnjë lloj historie me ekstremin e djathtë, as atëhere dhe as tani, por siç e thash, jemi vetëm se vetëm, antikomunista, kundra komunizmit”, ka thënë njëri nga tifozët në kushte anonimiteti.

Ndërsa tjetri po ashtu në kushte anonimiteti i ka thënë KALLXO.com se këto mesazhe mund të jenë shpërndarë edhe nga padituria.

“Ndoshta është bërë edhe nga padituria, është bërë edhe spontanisht nga padituria, por që e rëndësishmja është që ne nuk kemi bindje të ekstremit të djathtë fare, ne jemi antikomunista. Në qoftë se ne kjo na bën esktrem të djathtë, atëherë po e pranojmë dhe jemi me shumë qef ekstrem i djathtë, në qoftë se na bën ekstrem qendre, jemi ekstrem qëndre, jemi çdo lloj ekstremi, në qoftë se kjo të qenit antikomunist na bën ekstrem”, tha tifozi tjëtër.

Gazetari nga Shqipëria, Artan Hoxha ka thënë se këto grupe të tifozëve si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë përdorin simbole kombëtare për të pasur sa më shumë mbështetje dhe ndikim.

Hoxha ka shtuar se ka pasur edhe raste kur këto grupe tifozësh janë keqpërdorur.

“Është vërejtur një nënvlerësim nga autoritetet shtetërore po ashtu edhe nga Federatat e futbollit, duke lejuar që këto lloje të grupeve, të lihen në dorë të kujtdo, sepse ata vërtet janë të rëndësishëm dhe të dukshëm në aktivitete ku vëmendja është shumë e madhe. Kërcënimi që këto grupe të tifozëve të keqpërdoren është i dukshëm”, ka thënë Hoxha